Ukraina thotë se Rusia lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës, duke shënjestruar qytetin Dnipro në pjesën qendrore-lindore të vendit. Kjo është hera e parë që Moska përdor një raketë të tillë gjatë luftës.
Nuk është e qartë saktësisht se çfarë lloj rakete u lëshua, por Forca Ajrore e Ukrainës tha në një deklaratë në Telegram të enjten se ajo u lëshua nga rajoni i Astrahanit në Rusi.
Sipas Forcës Ajrore të Ukrainës, mëngjesin e 21 nëntorit, trupat ruse sulmuan Dnipron me lloje të ndryshme raketash, duke përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale.
Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) janë armë strategjike të dizajnuara për të shpërndarë koka bërthamore dhe janë një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes bërthamore të Rusisë.
Ukrainasit nuk specifikuan se çfarë lloj koke kishte raketa apo çfarë tipi rakete ishte. Nuk ka asnjë sugjerim nëse ajo ishte e pajisur me armë bërthamore.
Ky zhvillim ndodh ndërsa lufta ka marrë një dimension gjithnjë e më ndërkombëtar me mbërritjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushën e betejës.
Sipas autoriteteve lokale, një ndërmarrje industriale u dëmtua në Dnipro për shkak të goditjes, dhe dy zjarre shpërthyen gjithashtu në qytet.
Kryetari i Bashkisë së Dnipros, Borys Filatov, shtoi se ndërtesa e Qendrës për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara u dëmtua nga bombardimet.
Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, nuk komentoi
menjëherë mbi deklaratën e Forcave Ajrore.
Një ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Ukrainë raportoi se kishte marrë “informacione specifike” për një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror rus më 20 nëntor. Si masë paraprake, ambasada u mbyll. Më pas, misionet diplomatike të Spanjës, Italisë dhe Greqisë njoftuan gjithashtu mbylljen për vizitorët më 20 nëntor./rel
Incidenti me armë në Prishtinë, gjendja e dy të lënduarve ës...
Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor
Murati falënderon deputetët pas miratimit të buxhetit në Kuv...
Ukraina qëllon Rusinë me raketa britanike me rreze të gjatë ...
Hamza në Rahovec: Ndërmarrësit do t’i mbështesim me in...
“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE...