Shtetet e Bashkuara po planifikojnë t’i dërgojnë Ukrainës mina tokësore kundër personelit për të ndihmuar forcat e Kievit të shmangin avancimin e trupave tokësore ruse, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Vendimi është ndryshimi i dytë i politikës së Shteteve të Bashkuara në ditët e fundit pasi Presidenti Joe Biden, në dy muajt e fundit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi qëndrimin e tij dhe tha se Ukraina tashmë është e lirë të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Uashingtoni më thellë në territorin e Rusisë.
Ukraina goditi me shpejtësi depot e municioneve me sulmin e saj të parë të martën.
Sekretari Austin, duke folur me gazetarët që udhëtonin me të në një udhëtim për në Laos, tha se lejimi i dërgesës së minave tokësore amerikane në Ukrainë u bë i nevojshëm për shkak të ndryshimit të taktikave të fushëbetejës nga forcat e Moskës.
Shefi i Pentagonit tha se trupat tokësore ruse po udhëheqin lëvizjen në fushën e betejës, në vend të forcave të mbrojtura nga transportuesit e blinduar, kështu që Ukraina ka “një nevojë për gjëra që mund të ndihmojnë në ngadalësimin e kësaj përpjekjeje nga ana e rusëve”.
Moska ka pushtuar më shumë territor në Ukrainën lindore javët e fundit.
Sekretari Austin tha se minat tokësore që do të ofrojnë Shtetet e Bashkuara mund të kontrollohen për vetë-aktivizimin dhe vetë-shpërthimin. Një zyrtar amerikan tha të martën vonë se Shtetet e Bashkuara kërkuan angazhime nga Ukraina se si do t’i përdorë minat antipersonel, me shpresën se ato do të vendosen vetëm në territorin ukrainas, në zonat ku nuk jetojnë civilët ukrainas.
Forcat ukrainase goditën depot e municioneve në rajonin Bryansk të Rusisë para agimit të së martës, duke përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi, që zyrtarët ukrainas kërkonin prej kohësh për të goditur zonat që Rusia ka përdorur për të nisur valë të përditshme sulmesh me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase.
Të dyja palët paraqitën të dhëna të ndryshme mbi rezultatet e sulmit, i cili u krye dy ditë pasi u raportua se presidenti Joe Biden ndryshoi politikën amerikane duke miratuar përdorimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi, ndërsa agresioni rus në Ukrainë shënoi 1000 ditë.
Dy zyrtarë amerikanë i konfirmuan Zërit të Amerikës të martën se politika që ndalon përdorimin nga ukrainasit të armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë “ka ndryshuar”.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se “forcat e armatosura të Ukrainës goditën mbrëmë një objekt në rajonin Bryansk” me gjashtë raketa të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë, të prodhuar nga SHBA, ose ATACMS, por, sipas kësaj ministrie, forcat ruse rrëzuan pesë prej tyre dhe dëmtuan të gjashtën. Në deklaratë thuhet se rënia e pjesëve të raketave shkaktuan një zjarr në objektin ushtarak, por nuk pati viktima.
Shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha në një postim në Facebook se forcat ukrainase shkaktuan dëme në “depot e municioneve të ushtrisë pushtuese ruse” në Bryansk, rreth 100 kilometra nga kufiri i Ukrainës.
Sulmi shkaktoi “12 shpërthime dytësore dhe shpërthime në zonën e objektivit”, thuhet në deklaratë, por pa u saktësuar se ishin përdorur raketat ATACMS. Por, një zyrtar ukrainas, duke folur me kushtin që të mos i përmendet emri, konfirmoi përdorimin e sistemit amerikan të armëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar prej kohësh lejen amerikane për përdorimin e tij për të nisur sulme në objektet ushtarake thellë brenda Rusisë. Megjithatë, deri të dielën, Presidenti Biden kishte rezistuar nga frika e përshkallëzimit të konfliktit dhe përfshirjes së aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, katër prej vendeve anëtare të së cilës kufizohen me Rusinë.
Presidenti Biden thuhet se e ndryshoi qëndrimin e tij pasi Koreja e Veriut dërgoi rreth 10,000 trupa në Rusi për të luftuar përkrah forcave të Moskës në rajonin Kursk të Rusisë, që Ukraina e pushtoi në gusht dhe ende e mban nën kontroll.
Presidenti Biden e lë detyrën pas dy muajsh dhe nuk është e qartë se çfarë qëndrimi mund të mbajë presidenti i sapozgjedhur Donald Trump. Zoti Trump ka qenë i rezervuar rreth mbështetjes së vazhdueshme ushtarake amerikane për Ukrainën, duke pretenduar se ai do t’i jepte fund luftës madje edhe para se ta merrte detyrën. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë plan publik se si do ta bënte këtë.
Me Ukrainën që tani ka mundësinë për të hedhur raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi, Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën një doktrinë të rishikuar bërthamore, duke deklaruar se një sulm konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb i mbështetur nga një fuqi bërthamore konsiderohet një sulm i përbashkët dhe mund të nxisë një përgjigje bërthamore.
Duke komentuar nëse doktrina e re u publikua qëllimisht pas vendimit të Presidentit Biden, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se dokumenti u publikua “në kohën e duhur”. Ai shtoi se Presidenti Putin udhëzoi qeverinë ta ndryshonte doktrinën në fillim të këtij viti, në mënyrë që të jetë “në përputhje me situatën aktuale”.
Në përgjigje, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të befasuara nga njoftimi i Rusisë se po përditëson doktrinën e saj bërthamore, pasi ajo kishte sinjalizuar synimin e saj për ta bërë këtë për disa javë. Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara nuk shohin arsye për të ndryshuar qëndrimin e tyre.
“Kjo është e njëjta retorikë e papërgjegjshme nga Rusia, të cilën e kemi dëgjuar gjatë dy viteve të fundit”, tha ai./voa
Dështon gjykimi për gazin lotsjellës, seanca e radhës një di...
PDK rikthehet në Kuvend, amendamentet e tyre nuk përkrahen n...
Përfundon gjykimi për këtë javë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ...
Ursula von der Leyen i shpëton jetën një pasagjeri në një av...
Grabiti 5.4 milion euro në aeroportin e Rinasit, dënohet me ...
Arrestohet një i dyshuar i kërkuar me urdhër-arrest ndërkomb...