Bislimi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, legjitimon praktikën sistematike diskriminuese ndaj shqiptarëve

18:01 | 20 Nëntor 2024
E.G

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës së tij.

Me anë të një postimi në “X”, Bislimi tha se ky vendim cenon të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk i besojnë sistemit dhe ngurrojnë të nisin proceset gjyqësore, shkruan Arbresh.info.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin legjitimon praktikën sistematike diskriminuese të pasivizimit të adresave që ka për cak shqiptarët. Ai vendim cenon të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk i besojnë sistemit dhe ngurrojnë të nisin proceset gjyqësore”, ka shkruar ai.

Bislimi publikoi edhe disa citate nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, duke thënë se ato “janë shembulli i përsosur se si gërryhen të drejtat e shqiptarëve, përmes interpretimeve të padrejta dhe diskriminuese, të cilat dëshmojnë mungesën e demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”./Arbresh.info/

Të ngjashme