Koreja e Veriut e ka furnizuar rishtazi Rusinë me sisteme shtesë të artilerisë, për ta mbështetur në luftën e saj kundër Ukrainës, ndërsa disa prej mijërave trupave koreano-veriore të zhvendosura në Rusi, kanë filluar të angazhohen në luftime tashmë, tha të mërkurën agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.
Vlerësimi i Seulit vjen pasi Rusia paralajmëroi të hënën se vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me armë amerikane me rreze të gjatë, i “hedh benzinë zjarrit” në luftë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se vendimi i Bidenit u nxit pothuajse kryekëput nga përfshirja e Koresë së Veriut në këtë luftë.
Në një seancë me dyer të mbyllur në Parlament, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut (NIS) tha se Koreja e Veriut ka dërguar në Rusi artileri vetëlëvizëse të llojit 170mm dhe sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240mm, sipas deputetit Lee Seong Kweun, i cili mori pjesë në seancë.
Lee u tha gazetarëve se NIS-i vlerësoi se këto armë janë një lloj artilerie që ushtria ruse nuk e përdor zakonisht, prandaj Koreja e Veriut ka gjasa të ketë dërguar personel për t’i mësuar rusët se si t’i përdorin ato dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre.
Javën e kaluar, kanale ruse në Telegram dhe postime të tjera në rrjetet sociale publikuan fotografi që duket se shfaqnin artilerinë vetëlëvizëse Koksan 170mm të Koresë së Veriut, duke u transportuar në Rusi përmes rrugës hekurudhore.
Financial Times, duke cituar inteligjencën ukrainase, raportoi të dielën se Koreja e Veriut ka dërguar në javët e fundit rreth 50 armë vetëlëvizëse të llojit 170 mm dhe 20 sisteme raketash me shumë tyta të llojit 240 mm drejt Rusisë.
Sistemet e artilerisë janë armët më të fundit konvencionale që besohet se Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë, në një kohë kur këto dy vende po e zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak përballë konfrontimeve të ndara me SHBA-në dhe aleatët e saj./euronews
Sveçla në Samitin për Digjitalizim në Estoni: Siguria Kibern...
Anisa ironizon me Gresën: A përlahem sot?
Arabia Saudite do të investojë 500 miliardë dollarë në turiz...
Çështjet ligjore ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ...
SPAK sekuestron dy vilat në pronësi të Monika Kryemadhit dhe...
Policia patrullon në veri, me fokus në sigurinë e trafikut r...