Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

07:25 | 20 Nëntor 2024
R J

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ndonëse për të martën ishte planifikuar që të dëgjohet dëshmitari i 105-të, kjo gjë nuk ndodhi.

Seanca e djeshme u hap duke u njoftuar që do të shkojnë në pushim për 15 minuta dhe nuk u bë e ditur se çfarë ndodhi në seancë private.

Pas disa pushimeve dhe kalimit në sesione private, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Charles Smith III, në fund u tha palët do të shihen të mërkurën në ora 09:00.

Dëshmitari i fundit të hënën ishte, Nezir Çoçaj, i cili ishte i 104-ti me radhë në këtë proces gjyqësor dhe ai ka përfunduar të hënën dëshminë në Hagë.

Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore, raporton RTKlive.

Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme