Google ADS

Kosova vazhdon stërvitjet për dy sfidat e nëntorit

16:10 | 18 Nëntor 2024
D.H

Kombëtarja e Kosovës në basketboll është duke u përgatitur për ndeshjet e nëntorit, të vlefshme për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027.

Dardanët kanë nisur të ushtrojnë nga e marta e javës së kaluar nën udhëheqjen e përzgjedhësit të ri, Jean-Denys Choulet, përcjell Arbresh.info.

Sipas Federatës së Basketbollit, stërvitjet po shkojnë mjaft mirë dhe të gjithë basketbollistët po e japin maksimumin, derisa atmosfera në kampin dardan është mjaft e mirë.

Ekipi kombëtar po kryen stërvitjet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Dardanët në muajin nëntor do t’i zhvillojnë dy ndeshje si mysafirë.

Më 21 nëntor do të ndeshen me Zvicrën dhe më 24 ndaj Irlandës. Kosova e ka një fitore dhe një humbje deri tash.

Sfidat e fundit do të jenë në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të presim Zvicrën dhe Azerbajxhanin.

FBK-ja iu ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i mbështesin Dardanët në këto dy sfida të rëndësishme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme