Google ADS

Sërish protestohet në Novi Sad

23:05 | 17 Nëntor 2024
E.G

Ka vazhduar edhe të dielën protesta ne Novi Sad, ku kërkohet përgjegjësi për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor kur humbën jetën 14 persona dhe tre u plagosën rëndë.

Protesta filloi me bllokimin e kryqëzimit pranë Stacionit Hekurudhor. Qytetarët e mbledhur thanë se dolën për të treguar solidaritet me familjet e viktimave dhe se nuk do të ndalojnë së kërkuari përgjegjësi.

“Nuk ka më çfarë të thuhet, dhimbje për të gjithë qytetarët. Thjesht, shteti tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Nëse ndodh diçka e tillë në stacionin hekurudhor ku vijnë njerëz nga i gjithë rajoni, çka te thuhet. Ligjet dhe procedurat nuk u respektuan”, tha një qytetare.

“Ndihem shumë keq dhe i deprimuar, ashtu si shumica e njerëzve. Shumica e njerëzve janë të frikësuar nga ky sistem. Na duhen njerëz të rinj që të na udhëheqin në rrugën e duhur”, tha një qytetar.

Pas tragjedisë kërkesat e qytetarëve janë dorëheqjet e kryeministrit Milosh Vuçeviq dhe kryetarit të Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriq, si dhe përcaktimi dhe ndjekja penale e përgjegjësve për këtë tragjedi.

Gjithashtu kërkohet edhe lirimi i aktivistëve të arrestuar gjatë protestës se mëparshme në Novi Sad. Për këtë tragjedi theksohet se është pasojë e korrupsionit.

Organizatorët e protestës, grupet e të rinjve aktivistë, theksojnë se do të vazhdojnë presionin ndaj autoriteteve.

“Kërkesat janë të pandryshuara, sepse nuk janë përmbushur. Kemi 14 viktima dhe zero fajtorë, më saktë, kemi shumë fajtorë, por ata janë të lirë. Derisa prokuroria dhe institucionet e tjera të mos bëjnë punën e tyre dhe të vendosin në vendin e duhur ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi, ne do të jemi në rrugë”, ka thënë Milla Pajiq nga Organizata rinore “Qendrimi”.

Protesta e cila ka filluar në orën 12 zgjati deri në orën 18.

Lidhur me tragjedinë në Novi Sad, Prokuroria ka njoftuar se deri tani janë marrë në pyetje 70 persona, por nuk ka arrestime. Derisa nuk identifikohen fajtorët, pakënaqësia e qytetarëve do të vazhdojë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme