Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përshtypjen se akuza është e vërtetë

16:28 | 17 Nëntor 2024
E.G

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë Faton Pecit, të mos “mërzitet” dhe të mos reagojë nëse akuzat ndaj tij janë të pasakta.

Pacolli me një postim në Facebook ka thënë se reagimi emocional, si ai që bën ministri Peci zakonisht, mund të japë përshtypjen se është i vërtetë, shkruan Arbresh.info.

“Ministër Peci,  Mos u mërzit për çdo akuzë që të drejtohet. Reagimi emocional, si ai që bën ti zakonisht, mund të japë përshtypjen se akuza është e vërtetë.”, ka shkruar ai.

“Fjala më e mirë është durimi. Nëse akuzat që janë bërë ndaj teje nuk janë të vërteta, mos reago fare, ashtu siç nuk reagova unë kur ti më quajte publikisht agjent të Putinit dhe Vuçiqit.”, ka shtuar Pacolli.

Tutje ai tha se qetësia dhe përmbajtja janë shpesh përgjigjja më e fortë ndaj kritikave të pabaza.

Ndryshe, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe që ndaj tij të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fitore Pacollit dhe të nisin hetimet për skandalin e 100 mijë eurove

Të ngjashme