Google ADS

“Kosova, shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti”

13:00 | 16 Nëntor 2024
K.B

Hapja e pompave të derivateve në distancë të afërt me njëra-tjetrën në Kosovë, po vazhdon të rritet dita ditës, e gjithë kjo vjen si rezultat i të mos pasurit kriter të duhur rreth hapjeve të pikave të karburantit.

“Jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti”

Kështu cilësohet Kosova për nga numri i pompave të derivateve nga kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili flet për Arbresh.info rreth këtij problemi.

Ai thekson se kanë kërkuar nga kreu i ekzekutivit, Albin Kurti që të bëhen kritere për ndërtimin e pikave të karburantëve në vend.

“Sa i përket ndërtimit të pikave të karburantit në Republikën e Kosovës, nuk ka asnjë kriter deri më tani, lejet për punim apo për ndërtim i ka lëshuar komuna, ndërsa ne si shoqatë e naftëtarëve kemi kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të bëhen kriteret siç janë në shtetet në regjion dhe në Bashkimin Evropian”, shprehet ai.

Në vendin tonë mungon ligji për të vendosur rregull për perimetrin ose distancën e pikave shitëse të derivateve, Berjani tregon se çfarë kritere duhet të ketë Kosova duke u bazuar në kriteret e Bashkimit Evropian.

“Jemi shteti ma i vogël ne botë me më së shumti pika karburanti, kjo është për çudi se si ndërtohen pikat e karburantit, ne si shoqatë nuk jemi kundër ndërtimit por kemi kërkuar që si kriter të jetë largësia, në mes të komunave duhet të jetë 10 kilometër largësi, në rrugë nacionale 15 kilometër, dhe autostradë 25 deri 50 kilometër, ne e kemi kërkuar këtë kriter të bazuar nga kriteret e BE-së dhe besojmë që kryeministri Kurti do të përgjigjet pozitivisht”, shprehet kreu i naftarëve.
Berjani i cilëson si “kërpudhat pas shiut” pikat e shumta të karburantit, po ashtu ai tregon se 750 pika karburanti janë të ndërtuara në Kosovë.

“ Se ku qëndron arsyeja e hapjeve kaq afër njëra tjetrës nuk e di, por nuk duhet lejohen të ndërtohen, po ndërtohen si “kërpudhat pas shiut” kjo është gabuar për imazhin ekonomik dhe Kosovarë, në Kosovë i kemi 750 pika karburanti, në shtetet regjion si kriter është edhe për kokë banori, në Maqedoni është 25 mijë banor një pik karburanti, ndërsa nëse llogaritet kjo për te ne, kjo është një katastrofë, por ne nuk kërkojmë që të rrënohen pikat që janë të ndërtuara, vetëm kërkojmë që tani e tutje të mos ndërtohen më shumë”, tregon ai.

Sa i përket mungesës së pikave të karburantëve në autostrada, Berjani mendon që edhe aty ka pika të mjaftueshme.

“Sa i përket për autostrada, vendet veç se janë të rezervuara po ka mjaftë pika dhe nuk ka interesa të mëdha, sepse një pikë karburanti e ka koston e vet, siç janë kostot e mirëmbajtjes, punëtorët, rryma dhe shumë gjëra të tjera, kështu që nuk ka shumë interes nga bizneset për hapje të pompave në autostradë”, thekson Berjani, duke shtuar se hapja e pikave të karburanteve në autostradë varet nga Ministria e Transportit.

Ndërsa, sa i përket lajmeve të cilat po qarkullojnë se pas ardhjes në pushtet të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp se çmimi i naftës do të bie, Berjani tha se ky lajm nuk është aspak i vërtetë.

“Ky lajm nuk është i vërtet, mund ta themi realitetin sepse berza është në lëvizje sipër, ne nuk mund ta parashikojmë se çfarë çmime mund të kemi, por ardhja e Tramp-it nuk ka bërë asnjë lëvizje por kjo është një lojë politike, ndërsa çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese “opec”, për momentin çmimet për dizel janë 1.17 cent deri në 1.27 cent, ndërsa benzina sillet 1.19 cent deri 1.29 cent, këto çmime janë stabile që dy muaj, por për qytetarët e Kosovës dhe gjendjen ekonomike të cilën e kemi, çmimi i derivate do të duhej të jetë 1.00 €, por kjo nuk varet nga ne, kjo varet nga tregjet ndërkombëtare”. /Arbresh.info/Qëndresa Luma/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme