Google ADS

Spiunohen politikanët amerikanë/ Pekini tentoi të ndërhynte në rrjetet e telekomunikacionit

16:15 | 15 Nëntor 2024
R J

Hackerat kinezë kanë nisur një fushatë të gjerë për të depërtuar në celularët e zyrtarëve të lartë amerikan dhe për të kryer spiunazh kibernetik në pajisjet e tyre teknologjike. Këto janë të dhënat e një hetimi federal sipas FBI-së amerikane, e cila thotë se Pekini po tenton të vjedhë informacione kryesisht nga politikanët amerikanë.

Agjencia Federale mbi Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën dhe FBI-ja amerikane deklaruan se hackerat e lidhur me Kinën kanë kompromentuar rrjetet e kompanive të telekomunikacionit me synimin për të pasur akses në të dhënat telefonike dhe komunikimeve private tek një “numër i kufizuar individësh”.

Autoritetet Federale në SHBA nuk dhanë detaje mbi individët që ishin në shënjestër të hackerave kinezë, por FBI deklaroi se shumica prej tyre janë të përfshirë kryesisht në aktivitete qeveritare apo politike.

Zyrtarët sugjeruan gjithashtu se hakerët mund të jenë përpjekur të komprometojnë programe si ato që i nënshtrohen Aktit të Mbikëqyrjes së Zbulimit të Huaj. Ky i fundit u jep agjencive amerikane të spiunazhit kompetenca gjithëpërfshirëse për të vëzhguar komunikimet e individëve të dyshuar si agjentë të një fuqie të huaj.

Paralajmërimi vjen pas disa rasteve të hakerimit që kanë përfshirë figura të njohura e që autoritetet amerikane i kanë lidhur me Kinën. Zyrtarët thonë se ato janë pjesë e një përpjekje për të vjedhur informacion teknologjik dhe qeveritar, duke synuar gjithashtu infrastrukturën jetike si rrjetin elektrik.

Në shtator FBI-ja njoftoi se kishte bllokuar një operacion të madh hakerimi kinez të njohur si ‘Flax Typhoon’, që kishte të bënte me instalimin e një programi kompjuterik me qëllim dashakeq, në më shumë se 200,000 pajisje kompiuterike, përfshirë kamera dhe videoregjistrues.

Pajisjet ishin përdorur më pas për të krijuar një rrjet masiv kompjuterësh të infektuar, që mund të përdoreshin për të kryer vepra të tjera penale kibernetike.

Muajin e kaluar, zyrtarët thanë se hakera të lidhur me Kinën kishin vënë në shënjestër telefonin e zotit Trump, në atë kohë kandidat për president si dhe të senatorit JD Vance, kandidat për nënpresident, krahas telefonave të njerëzve të lidhur me kandidaten demokrate, nënpresidenten Kamala Harris.

Në deklaratën e tyre, FBI-ja dhe agjencia federale mbi Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, thanë se zyrtarët po punojnë me industrinë e telekomunikacionit dhe me ata që kanë rënë viktima të hakerimit, për efikasitet ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për spiunazh kibernetik.

Kina ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat e zyrtarëve amerikanë për përfshirje në spiunazh kibernetik./abcnews.al

Të ngjashme