Google ADS

Ambasadori i Shqipërisë kërkon bashkërendim në dialogun Kosovë- Serbi

17:39 | 14 Nëntor 2024
E.H

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës i konsideron të mira duke theksuar se ka një komunikim ndërshtetëror ndërmjet kryeministrave, për çështje të veçanta.

Ai tha se komunikimi ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, ndërsa ka kërkuar bashkërendim në dialogun Kosovë- Serbi.

Intervista e plotë me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Radio Kosova: Z. ambasador, në prag të 28 nëntorit, përvjetorit të 112 të Pavarësisë së Shqipërisë, a mund të na thoni cili është roli i shqiptarëve në Ballkan?

Petrit Malaj: Sivjet jem në një vit jubilar, kemi përvjetorin e 112 të pavarësisë, por kemi edhe 80 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një vit jubilar, 80 vite nuk janë pak, ishte një histori suksesi e Shqipërisë dhe e forcave aleate që më në fund panë dritën e lirisë. Unë mendoj që Shqipëria dhe shqiptarët në rajon këtë përvjetor të pavarësisë e gëzojnë për shumë arsye, sepse mendoj që sot realiteti ka sjellë që faktori shqiptar të jetë më i fuqishëm se kurrë, faktori shqiptare të ketë fituar pikë në arenën ndërkombëtare, që faktorit shqiptar t’i dëgjohet fjala dhe të jetë pjesë e organizmave të ndryshëm ndërkombëtar që fuqishëm ta mbrojë çështjen shqiptare. Një nga prioritetet e politikës së jashtme shqiptare është pikërisht kjo, që Shqipëria çështjen shqiptare e ka prioritet dhe në gjithë direksionet që vijnë nga Ministria e Jashtme janë që ky rol të fuqizohet edhe më tepër. Nismat që na presin janë të tilla që kërkojnë mbështetje nga të gjithë shqiptarët dhe kërkojnë rolin e secilit që është në rajon, e pse jo, të jemi edhe në bllok drejt asaj rruge evropian që ka Shqipëria,Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Malit të Zi. Të gjithë kemi pasur një ëndërr për të shkuar në Evropë. Shqipëria ka hedhur një hap vendimtar sivjet, ka hapur kapitullin e parë për negociatat me Bashkimin Evropian. Ju siguroj që në Shqipëri, qeveria shqiptare ka bërë një punë të madhe për këtë këshillim dhe ka edhe më shumë punë për kapitujt e tjerë.

Radio Kosova: Z. ambasador, tashmë jeni me mision diplomatik në Kosovë, si e vlerësoni bashkëpunimin politik dhe diplomatik ndërmjet dy vendeve. Cilat janë sfidat me të mëdha që i hasim ndërmjet dy vendeve?

Petrit Malaj: Secili jep opinionin e tij për sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri. Unë di t’ju them që nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, dhe ketë e them se marrëdhëniet politike ku Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare kanë një dinamik të jashtëzakonshme të kontakteve dhe të zbatimit të atyre marrëveshjeve që i kanë marrë në mbledhjet e përbashkëta. Kanë një dinamik të përditshme për sa u takon momenteve kyçe, të rritjes së bashkëpunimit qoftë ndërkufitar, të biznesit, kulturor, politik po se po. Unë që e them këtë e di sepse kam kontakte të përditshme me dy qeveritë. Ju e dini që kemi bashkëpunim ndërqeveritar. Ju e dini që tashmë Kosova për Shqipërinë është prioritet strategjik, nuk është një fjalë por është një bazë e fuqishme e kësaj marrëdhënieje. Edhe marrëdhëniet ekonomike viteve të fundit kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme. Vetëm në vitin 2023 ka pasur një këmbim tregtar që kap vlerën e 400 milionë eurove. Shiko, njerëzit janë të prirë të thonë që kryeministri kështu e kryeministri kështu, unë dje kam pasur takim me kryeministrin Kurti dhe kemi komunikuar për bashkëpunimin, dhe kemi komunikuar për takimin e ardhshëm ndërmjet qeverive. Po punohet për mbledhjen e ardhshme ndërmjet qeverisë, për marrëveshjet e reja. Vetëm këtë vit që jam këtu kemi përuruar dy rrugë që lidhin brezin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, dy rrugë që kanë ndihmuar shqiptarët që të lëvizin lirshëm. Pra, janë çarë disa damarë të cilët kanë bërë që të lëvizet lirshëm. Nga ana tjetër kemi marrëveshje të shumta për sa i përket aspektit të sigurisë.

Radio Kosova: Z. Ambasador, e përmendet që po bëhen përgatitjet për takimin e përbashkët ndërmjet dy qeverive, mund të na thoni kur do të ndodhë ky takim?

Petrit Malaj: Jo, nuk ka diçka të përcaktuar, janë ngritur disa tematika që meritojnë vëmendje të trajtohen nga dy qeveritë, pra disa shqetësim apo disa momente të rëndësishme të cilat kërkojnë marrëveshje, qoftë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Brendshëm apo Ministrinë e Bujqësisë që për të gjitha këto, ministrat nga Kosova dhe nga Shqipëria kanë diskutuar, dhe të gjitha janë në diskutim e sipër dhe padyshim që do të këtë një mbledhje të qeverive që do të nënshkruhen marrëveshje. Nuk është puna që vetëm kemi nënshkruar marrëveshje por i kemi vënë në jetë. Ju e dini fare mirë që lëvizja e lirë e shqiptarëve nga të dyja vendet është një lëvizje absolutisht e lirë që deri në nëntë muaj nuk ka asnjë kontroll nga asnjëra palë.

Radio Kosova: Si e shiheni raportin ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti?

Petrit Malaj: Nuk është një çështje personash, është një çështje shtetërore, dhe do të thosha përderisa ka një komunikim ndërshtetëror ndërmjet kryeministrave, për çështje të veçanta, unë mendoj që komunikimi ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë. Nuk është e thënë që ata duhet të dalin në media për çdo gjë. Unë ju siguroj që unë jam njëri nga personat që e kryej këtë komunikim në raste emergjente kur është e nevojshme. Di të them se dy kryeministrat janë takuar në Tiranë, janë takuar në takime të ndryshme ndërkombëtare, kanë komunikuar,duke trajtuar shqetësimet e përbashkëta. Gjithçka është në atë nivel që për mua nuk përben asnjë shqetësim.

Radio Kosova: Z. ambasador, dialogu është një nga temat kryesore në Kosovë, a konsideroni se Shqipëria e ka mbështetur mjaftueshëm Kosovën në këtë proces, dhe a mund të bëjë akoma më shumë?

Petrit Malaj: Dialogu është një proces. Shqipëria ka qenë gjithmonë që dialogu të njohë hapa konkretë. Ne mund të themi që vetëm dialogu është zgjidhja e mundshme për këtë gjë. Qeveria e Kosovës ka bërë hapa në këtë drejtim, pasi ka qenë e pranishme në takime, ka ngritur teza për atë që i takon si shtet i pavarur dhe sovran. Pati një platformë të presidentit serb, Aleksander Vuçiq, që Shqipëria e cilësoi destabilizuese, në fakt bllokuese pikërisht për dialogun, e cila kishte disa teza që një formë i thoshte këtij dialogu prapakthehu. Ne jemi që dialogu të vazhdojë, të ekzistojë, që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen dhe të shkohet drejt atij raporti për njohjen e dyanshme. Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç kemi dashur, por përsëri vazhdojmë të këmbëngulim që dialogu duhet të vazhdojë dhe është e vetmja zgjidhje. Ne kemi dënuar ashpër sulmin në Banjskë, Shqipëria dhe jo vetëm, ndërkombëtarisht është dënuar ky sulm i cili është i orkestruar. Tashmë në shtetin e Kosovës është hapur një proces, presim që ai proces të avancojë dhe pa dyshim prokuroria dhe sistemi i drejtësisë të kryejë atë detyrë që ka për shtetin e tij, për të nxjerrë në pah të vërtetën. Padyshim Shqipëria ka pasur një kërkesë për Qeverinë e Kosovës siç kanë edhe të gjithë aleatët, për t’u koordinuar me aleatët. Kemi parë në fakt që kohët e fundit Qeveria e Kosovës ka shprehur këtë konsekuencë dhe po koordinohet me aleatët pikërisht për të zgjidhur këta elementët e rëndësishëm që duhet zgjidhur. Gjithmonë kemi kërkuar se e kemi parë vetë si Shqipëri se kur e kemi pasur atë moment të mirë të koordinimet me aleatët me SHBA-në, Bashkim Evropian, Shqipëria ka shkuar përpara.

Radio Kosova: Z. ambasador, tashmë kemi udhëheqje të re në Bashkimin Evropian, a mendon që komisionarja e re për Politik të Jashtme, Kaja Kallas, do të krijojë një dinamik të re në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Petrit Malaj: Do të kemi dinamik të re në dialog jo vetëm për zgjedhjen e z.Kallas në krye të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, por edhe zgjedhjet në Amerikë do të kenë ndikimin e tyre në një ritëm në një dinamik të zgjidhjes së këtij problemi. Askush nuk vendos qëndrimin në vend të këtij moment, Kosova ka arritur të jetë një shtet i pavarur që sovranitetin e ka në të gjithë territorin e saj. Kosova duhet të njohë përparësi në këtë raport me Serbinë pikërisht për të shkuar deri te njohja reciproke. Unë mendoj që Qeveria e Kosovës do të krijojë relacionet e duhura me strukturat e reja në Bashkimin Evropian për të avancuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës.

Radio Kosova: Z. Malaj, po krijohet përshtypja që bota ka hy në një rirreshtim të ri pas zgjedhjes se Donald Trump president i SHBA-së, a e imponon kjo një unitet më të madh në kuptimin e funksionimit një komb dy shtete dhe definimin e përbashkët të interesave kombëtare.

Petrit Malaj: Realisht në jemi një komb dy shteti dhe shumë mirë që jemi kështu. Unë nuk jam aspak pesimist, unë i shoh zgjedhjet në Amerikë si një rrotacion që padyshim do t’i çojë më tej ato nisma dhe ato mbështetje që ka pasur për Ballkanin Perëndimor. Ju shikoni fjalët se kush po vendoset sekretar i shtetit në SHBA, ku gjykohet që është një person që ka respekt për shqiptarët. E në këtë esencë pse duhet të mendojmë që gjerat nuk do të shkojnë si duhet. Unë mendoj që gjërat duhet të shkojnë siç duhet, që Kosova është dhe do të jetë shtet i pavarur, që Kosova do të njohë prosperitet, dhe se Shqipëria është pas saj në çdo mbështetje të gjithë hapave që Kosova hedh.

Radio Kosova: Sa mund të forcohet me tej bashkëpunim ekonomik dhe energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Petrit Malaj: Ne energjinë e kemi një treg të përbashkët, ne kemi vendosur, ka hyrë edhe në bursën e Shqipërisë energjia e Kosovës. Unë kam qenë pjesë e disa konferencave, disa takimeve që kanë zhvilluar organizmat përkatës të Kosovës me organizmat përkatës të Shqipërisë dhe di t’ju them që linjat e interkonjuksionit janë në bashkëpunim dhe gjithçka rrjedh shumë mirë, gjë që do të thosha që në fushat e tjera të shtrijmë këtë marrëdhënie dhe këtë bashkëpunim siç e kemi në fushën e energjisë. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e energjisë ku Kosova kur ka nevojë merr energji nga Shqipëria dhe Shqipëria kur ka nevojë merr energji nga Kosova. Kosova po punon shumë që të ketë avancime edhe për sa i përket energjisë së gjelbër ku është një hap shumë pozitiv. Do të thosha jo vetëm Shqipëria por edhe Kosova janë të dyja pra në një rrugë të menduar qartazi dhe drejt dhe ku kemi shumë punë për të bërë por që hapat janë hedhur dhe shumë çka është menduar. Nuk përmenda pak më parë te ajo marrëdhënia që më kërkuat në mes të dy qeverive apo e mbledhjeve apo diçka tjetër. Shiko, kemi një projekt madhor, kemi një projekt për të cilin nuk e kemi parë as në ëndërr që të bëhet një hekurudhë nga Shkodra në Gjakovë e deri në Prishtinë. Po tash e një kohë është kështu, kur e lexon kështu nuk të duket gjë, po ajo është e jashtëzakonshme. Do të thosha që ka një grup që është ngritur dhe po punon për fizibilitetin e kësaj hekurudhe, e këtij projekti gjigant ndërmjet këtyre dy vendeve tona dhe ku Shqipëria dhe Kosova janë shprehur absolutisht, janë shprehur fuqishëm për ta mbështetur këtë projekt. Të presim, se gjërat nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, por kanë ritmin e tyre, duan kohën e tyre dhe do të thosha ta vlerësojmë jashtë mase sepse ajo nuk do të sjellë vetëm këtë lidhje normale që ne e kemi tashmë por do të sjellë rritje ekonomike do të bëjë atë që do ta lidhë Shqipërinë me Kosovën me gjithë rrjetin hekurudhor edhe në Evropë. Pra, gjithë çka është e menduar pozitivisht, gjithë çka ecën ashtu siç duhet. A kemi për të bërë, kemi për të bërë në familjen tonë, edhe në familjen tonë në Shqipëri nuk jemi të kënaqur me shumë gjëra e si mund të jemi të kënaqur pastaj me një organizëm kaq të madh siç është shteti apo kur flasim për marrëdhënie vëllazërore të cilat pa dyshim kërkojnë dinamikë, kërkojnë rritje, kërkojnë dashuri, kërkojnë edhe dashuri. Pa dashuri nuk bëhet asgjë e ne e kemi këtë dashuri që o e kemi ne shqiptarët në mes veti këtë dashuri o s’ka si të jetë ndryshe!

Radio Kosova: Z. Malaj, ju vini nga fusha e kulturës, cilat janë mundësitë për të zhvilluar me tej projektet kulturore ndërmjet dy vendeve?

Petrit Malaj: Ka shumë projekte në fushën e kulturës që unë nuk preka pak më parë, shumë mirë që ma hape tani! Unë vi nga bota e artit, nga bota e kulturës dhe në atë mision timin diplomatik që kam këtu në Kosovë, pa dyshim që kjo zë një peshë të madhe për mua dhe jam përpjekur bashkë me stafin këtu në ambasadë që të kemi shumë projekte, shumë aktivitete të cilat na ofrojnë edhe më tej me njëri –tjetrin apo na bënë që të shpërfaqim ndjesitë dhe ndjenjat, respektin dhe dashurinë, të shpërfaqim traditat tona edhe më shumë me njëri tjetrin. Po ju them po tani vjen Dita e Flamurit në Tiranë e do të bëhet një koncert i madh ku do të jetë Ansambli” Shota” pjesë e koncertit dhe ansambli ynë shtetëror i këngëve dhe valleve, pra, do të jetë një koncert i përbashkët. Kemi bërë para disa muajsh një koncert tjetër këtu në Prishtinë të këtyre dy strukturave e po ashtu vazhdon një projekt i përbashkët në fushën e Teatrit, Shqipëria me Kosovën teatrot kombëtar.

Nga ana tjetër në fushën e kinematografisë kemi shumë projekte të përbashkëta kinematografike. Dije që filmat shqiptarë në Kosovë kanë një sukses të jashtëzakonshëm e që janë ndjekur fort.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme