Google ADS

MKRS-ja investon rreth 1milion e 300 mijë euro në Gjilan

17:36 | 18 Janar 2016
Arbresh.info

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar sot dy Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit, nëpërmjet të cilave investon në këtë komunë 598 mijë euro për “Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit” dhe 625 mijë euro për “Ndërtimin e Palestrës së Sporteve në Zhegër.”

Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i vlerësuan lartë projektet përbashkëta mes ministrisë dhe komunës, me çka do të krijohen kushte dhe lehtësira për zhvillimin e përgjithshëm të sportit në këtë qytet.

Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të bashkëpunojë me komunat e Kosovës dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se me këto investime kapitale në Gjilan, do të krijojnë kushte më të mira dhe në përkim me standardet moderne për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të sportit, sidomos në kohën kur sporti i Kosovës po ndërkombëtarizohet gjithnjë e më shumë.

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e gjertanishëm dhe u shpreh se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të mirë të interesave të qytetarëve të kësaj komune.

Ai u shpreh se me këto projekte kapitale për Gjilanin, ndikohet dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës në sport dhe gjithashtu krijohen kushte më të volitshme për zhvillimin e sportit në këtë komunë.

Përveç këtyre dy memorandumeve, MKRS-ja sivjet investon rreth100 mijë euro për renovimin e Teatrit të Gjilanit dhe rreth 20 mijë euro në Sahat Kullën e këtij qyteti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme