Kurti u takua me ekspertë të sektorit financiar dhe bankar nga diaspora jonë në Gjermani

22:36 | 10 Nëntor 2024
E.H

Pas bashkëbisedimit me studentë, qëndrimin në Frankfurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vijoi duke takuar ekspertë të sektorit financiar dhe bankar nga diaspora jonë atje.

Krahas rritjes ekonomike dhe progresit që ka njohur vendi, fokus i diskutimit ishte edhe trajtimi i Fondit Sovran si një institucion zhvillimor si dhe arritjet dhe zhvillimet e rëndësishme të Bankës Qendrore të Kosovës, përcjell Arbresh.info.

“Mbi Fondin Sovran u theksua roli dhe funksioni, se si do të shërbejë ajo në funksion të zhvillimit të vendit dhe strategjia e investimeve që vjen bashkë me të. Kryeministri theksoi se transparenca dhe mbikëqyrja do të jenë kyçe gjersa qëllimet afatgjata dhe vizioni janë forcimi i pavarësisë ekonomike, rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Kosovës dhe pozicionimin e vendit si një partner të besueshëm dhe atraktiv në tregjet financiare ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.

Rreth zhvillimeve të rëndësishme të Bankës Qendrore të Kosovës, u theksua roli kyç i saj në ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës dhe realizimin e reformave dhe iniciativave strategjike të cilat kanë rritur besimin në sektorin financiar dhe kanë mundësuar integrimin e Kosovës në sistemet financiare globale.

U veçuan ndër të tjera avancimi i operacioneve me para të gatshme, përfshirja financiare dhe qasja në financa, para-aplikimi për Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave (SEPA).

Në takim u trajtuan dhe mundësitë për të përmirësuar likuditetin e kompanive si dhe rolin e sektorit të TIK-ut në sistemin e Kosovës dhe atë financiar patur parasysh zhvillimin e hovshëm të këtij sektori dhe potencialit të saj në vendin tonë.

Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëmarrësit për takimin, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e vyeshëm, duke vlerësuar rolin e diasporës si një nga faktorët kryesorë me të cilët bashkëpunojmë dhe ndajmë vizionin për zhvillimin e progresin e vendit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme