Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është i huaj për Ballkanin Perëndimor, e as rajoni nuk është i panjohur për të. Historitë e tyre janë të ndërthurura dhe kanë krijuar tashmë terren për një marrëdhënie të paparashikueshme përpara.
Trump, republikan, i cili ka shërbyer si president edhe nga viti 2017 deri më 2021, ka fituar zgjedhjet e 5 nëntorit kundër kandidates demokrate, Kamala Harris.
“Sinqerisht, kjo ishte lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë në këtë vend, e ndoshta edhe më gjerë”, ka thënë Trump natën e zgjedhjeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë uruar atë për fitoren.
Kurti ka thënë se “SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere e rëndësishme e Kosovës” dhe se “ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”.
Për “fitoren e jashtëzakoshme” e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe udhëheqës të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka shprehur besimin se zëri i Serbisë “tani do të dëgjohet më mirë”.
“Me [njerëzit e Trumpit] kemi ruajtur marrëdhënie miqësore edhe kur e kanë humbur mandatin dhe kjo tani është një situatë më e përshtatshme për ne”, ka thënë Vuçiq.
Entuziast për fitoren e Trumpit është shprehur edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili në një postim në X ka shkruar se “ditë më të mira” do të vijnë si për Amerikën, ashtu edhe për Malin e Zi.
Ndërsa, presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili favorizon shkëputjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës, ka thënë se fitorja e Trumpit “është edhe fitorja jonë”.
Administrata e mëparshme “ishte e padrejtë me ne”; nën udhëheqjen e Trumpit, presim që ajo të jetë më objektive, ka thënë Dodik – i sanksionuar nga SHBA-ja për rrezikimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
Reagimet e tilla për Vesko Garçeviqin, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, ishin të pritshme. Për më tepër, thotë ai, ekziston prej kohësh një qasje proaktive e disa liderëve ballkanikë për të forcuar pozitat e tyre dhe për të luajtur rol në formësimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit.
“Dy shtete të rajonit, Serbia dhe Shqipëria, i kanë ofruar hapësirat e tyre për investime nga rrethi i ngushtë i Trumpit, duke shpresuar se një gjë e tillë do t’u ndihmojë të merren me administratën Trump në të ardhmen”.
“Kur bëhet fjalë për Serbinë, ajo beson se kjo administratë do t’i ndihmojë ta adresojë çështjen e Kosovës. Shqipëria, ndërkaq, përpiqet ta pozicionojë veten si një nga shtyllat – së bashku me Serbinë – e qasjes së ardhshme amerikane ndaj Ballkanit”, thotë Garçeviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar në administratën e tij, planifikon të ndërtojë hotele luksoze në Shqipëri dhe Serbi.
Edhe djali i madh i Trumpit, Donald Jr., ka darkuar këtë vjeshtë me biznesmenë në Beograd, për të diskutuar mundësitë për investime.
Për Garçeviqin, janë të njohura tendencat e Trumpit për të prioritetizuar interesat amerikane përmes marrëdhënieve dypalëshe.
“Trump nuk do ta harmonizojë qasjen e Amerikës me Bashkimin Evropian, nëse beson se qasja individuale, qasja dypalëshe i sjell përfitime më të mira. Ai do t’i shtyjë gjërat përpara, pavarësisht se çka mendon BE-ja”, thotë ai.
David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë për Exposenë se administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe se zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.
Ndonëse thekson se presidenti i zgjedhur është i paparashikueshëm, ai pret që kjo marrëdhënie të vazhdojë.
Thotë se investimet në Shqipëri për të do të jenë të rëndësishme, ndërsa forcat populiste në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi do të përshtaten me kërkesat e tij, për t’i maksimizuar përfitimet e tyre.
“Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trumpi. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit”, thotë Kanin.
Kanin shton se boshnjakët janë tani të humbur dhe pa mbrojtës, duke supozuar se Trump do të vazhdojë të mbetet, siç thotë, proserb.
Ai vë në dukje se kroatët e Bosnjës mund t’i rinovojnë përpjekjet për një entitet të tretë dhe boshnjakët të dobësohen prej kësaj. Për Kosovën thotë se, prej kohësh, nuk po i shkonte mirë në aspektin ndërkombëtar.
“Albin Kurti mund t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë, por jashtë vendit është shumë jopopullor. Tani ai do të përballet me Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të jenë edhe më të prira për ta ndihmuar Vuçiqin me politikat e tij ndaj Kosovës”, thotë Kanin.
Gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.
Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Kanin thotë se gjasat për t’u rikthyer si ide i ka më shumë kjo e fundit.
“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes [ish-presidentit të Kosovës, Hashim] Thaçi, dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit. Problemi tani është se mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ka bashkëpunim. Ndaj, besoj se marrëveshja mes tyre nuk ka gjasa”, thotë Kanin.
Por, ndryshe nga ai mendon Garçeviq. Sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rishfaqet shpejt në agjendën e SHBA-së.
“Mendoj se SHBA-ja nuk do të dojë një krizë tjetër në Ballkan. Ajo do të përpiqet ta mbyllë edhe krizën në Ukrainë, për t’u përqendruar te Kina dhe kriza e saj potenciale me Tajvanin. Nëse i marrim parasysh të gjitha ato që Trump i ka thënë gjatë fushatës presidenciale, mendoj se Kina do ta marrë pjesën më të madhe të kohës, kur bëhet fjalë për agjendën e politikës së jashtme”, thotë Garçeviq.
Të dy bashkëbiseduesit e REL-it thonë se sfidat për Kosovën do të jenë më të theksuara sidomos nëse Richard Grenell merr pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit apo ndonjë pozitë tjetër të lartë në administratën e re Trump – gjë që tashmë është përfolur.
Në vitin 2020, kryeministri i Kosovës, Kurti, e ka akuzuar Grenellin, i cili atëkohë ka qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi, për “përfshirje të drejtpërdrejtë” në rrëzimin e Qeverisë së tij.
Grenell ka thënë se Kurti është antiamerikan.
Përballë sfidave të brendshme, luftës në Ukrainë, konflikteve në Lindjen e Mesme e të tjera, ka edhe analistë që argumentojnë se administrata e re e Trumpit mund t’i injorojë zhvillimet në Ballkan dhe kështu t’i mundësojë Rusisë ta zgjerojë ndikimin e saj.
Një prej tyre është Cody McClain Brown, profesor në Universitetin e Zagrebit.
“Nëse Rusia përpiqet të ndikojë më shumë në Serbi dhe në Mal të Zi, situata në Bosnje dhe Hercegovinë mund të bëhet më e paqëndrueshme. Kur bëhet fjalë për Kosovën, qëndrimi i Trumpit do të vazhdojë të rrijë pezull. Ai mund ta mbështesë Serbinë për ta rimarrë Kosovën, por është vështirë të dihet, pasi nuk shpreh opinione të fuqishme për këtë çështje”, thotë Brown.
Bashkimi Evropian, ku mëtojnë anëtarësimin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po shtrëngohet gjithashtu për kthimin e Trumpit. Zyrtarët e tij e kanë uruar atë, por në të kaluarën kanë shprehur jo rrallë shqetësime për politikën e tij të jashtme.
Analistët thonë se në muajt e parë të vitit të ardhshëm e andej, do të bëhet e qartë nëse taktikat e Trumpit do të çojnë në zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor, do t’i shtojnë armiqësitë apo do ta lënë atë, thjesht, në një gjendje amullie.
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe