Emri i legjendës së Real Madridit është bërë trend në rrjetet sociale pas lëndimit të Militaos

07:23 | 10 Nëntor 2024
E.G

Real Madridi konfirmoi të shtunën gjatë ditës se Eder Militao ka pësuar këputje të ligamentit në gjurin e tij të djathtë.

‘Los Blancos’ arritën fitore me rezultat bindës 4-0 ndaj Osasunës në ‘Santiago Bernabeu’, por ky triumf pati një shije të hidhur për ta.

Ky lëndim i rëndë do t’i vështirësojë edhe më shumë punët për Ancelottin, pasi ai tashmë ka vetëm dy mbrojtës qendre në dispozicion – Antonio Rudiger dhe Jesus Vallejo.

Nevoja për të transferuar një lojtar në atë pozitë gjatë afatit të janarit është rritur dukshëm, me tifozët që tashmë duket se kanë një emër të preferuar.

Në një foto të publikuar nga mediumi spanjoll El Chiringuito, shihet se si emri i Sergio Ramos është bërë trend në rrjetet sociale.

Duke marrë parasysh historinë e Ramosit me Realin dhe faktin se ai është momentalisht një lojtar i lirë, shumë tifozë do të preferonin rikthimin e tij të paktën deri në fund të sezonit.

Politika e transferimeve e Real Madridit deri më tani ka funksionuar mbi idenë se një lojtar i larguar nuk rikthehet më në skuadër, por kjo ka mundësi që të ndryshojë këtë vit.

Mungesa e opsioneve konkrete dhe duke marrë parasysh se ekipet e mëdha nuk preferojnë të bëjnë shitje të lojtarëve në mes të sezonit, do jetë e vështirë për Real Madridin që të transferojë tani ndonjë emër të madh./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme