Ashtu si shumë të reja të tjera që jetonin në Gjermaninë Lindore komuniste, Solveig Leo nuk mendonte shumë për balancën mes karrierës dhe roli të saj si nënë. Ajo kishte dy fëmijë dhe ia arrinte të drejtonte një fermë të madhe shtetërore në fshatin verilindor të Banzkowit, sepse kujdesi për fëmijët ishte i garantuar.
Nga ana tjetër Claudia Huth, nënë e pesë fëmijëve, e cila u rrit në Gjermaninë Perëndimore kapitaliste, la punën si nëpunëse banke kur ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë dhe bëri jetën e një shtëpiakeje tradicionale në fshatin Egelsbach në Hesse, duke rritur fëmijët dhe duke u kujdesur për të shoqin, i cili punonte si kimist.
Si zonja Leo edhe zonja Huth përmbushën role që në shumë mënyra ishin tipike për gratë në sistemet politike shumë të ndryshme që qeverisnin dy Gjermanitë gjatë dekadave të ndarjes së saj, pas disfatës së vendit në Luftën e Dytë Botërore në 1945.
Ndërsa Gjermania shënon 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 – dhe ribashkimin e vendit, që u realizua pas një viti më 3 tetor 1990 – shumë vetë në Gjermani po reflektojnë se si jetët e grave që ndryshonin aq shumë nën komunizëm dhe kapitalizëm, janë bërë përsëri shumë më të ngjashme – megjithëse disa dallime mbeten edhe sot.
“Në Gjermaninë Perëndimore, gratë – jo të gjitha, por shumë prej tyre – duhej të luftonin për të drejtën e tyre për të pasur një karrierë,” thotë Clara Marz, kuratorja e një ekspozite për gratë në Gjermaninë e ndarë të organizuar nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës Komuniste.
Ajo shton se gratë në Gjermaninë Lindore ishin shpesh të punësuara – edhe pse kjo ishte diçka që vinte “me urdhër nga lart”.
I ngritur në vitin 1961, për 28 vjet muri qëndroi në vijën e parë të frontit të Luftës së Ftohtë midis amerikanëve dhe sovjetikëve. Ai u ndërtua nga regjimi komunist, për t’i shkëputur gjermano-lindorët nga ndikimi ideologjik i Perëndimit dhe për të frenuar valën e njerëzve që iknin nga Gjermania Lindore.
Pjesët e mbetura të murit prej 156.4 kilometrash rreth Berlinit Perëndimor kapitalist, sot shërbejnë kryesisht si një objekt turistik.
“E gjithë industria e rëndë ishte në Perëndim, nuk kishte asgjë këtu,” thotë zonja Leo, e cila tani është 81 vjeç, në një intervistë duke reflektuar mbi jetën e saj si grua nën komunizëm.
“Gjermania Lindore duhej t’i paguante dëmshpërblimet e luftës Bashkimit Sovjetik. Gratë duhej të punonin vetë për të dalë nga ajo gjendje e mjeruar”.
Nga ana tjetër thotë zonja Leo, gratë në Perëndim nuk kishin nevojë të punonin falë Planit Marshall të Shteteve të Bashkuara për rindërtimin që derdhi miliarda dollarë në Gjermaninë Perëndimore dhe në vendet e tjera evropiane pas luftës.
Në Gjermaninë Perëndimore kapitaliste, ekonomia u rimëkëmb aq shpejt pas shkatërrimit total të Luftës së Dytë Botërore, sa njerëzit filluan të flisnin shumë shpejt për një “mrekulli ekonomike”, që u solli atyre pasuri dhe stabilitet në më pak se 10 vjet pas luftës.
Megjithatë ky sukses ekonomik, pengoi në mënyrë indirekte aspiratat e grave për të drejta të barabarta. Shumica e grave gjermano-perëndimore qëndruan në shtëpi dhe prej tyre pritej të kujdeseshin për shtëpinë, ndërsa burrat punonin.
Feja gjithashtu luajti një rol shumë më të madh sesa në Gjermaninë Lindore ateiste, duke i kufizuar gratë në rolet tradicionale të të kujdesurit për familjen. Nënat, që u përpoqën të dilnin nga këto norma konvencionale dhe hynë në punë, konsideroheshin si nëna të pakujdesshme, që vendosnin punën mbi familjen. Jo të gjitha gratë gjermano-perëndimore i perceptonin rolet e tyre tradicionale si kufizuese.
“Gjithmonë kisha dëshirën të isha me fëmijët e mi, sepse më pëlqente të isha me ta”, thotë zonja Huth, tani 69 vjeç. “Nuk më ka shkuar kurrë në mendje të shkoj në punë.”
Më shumë se tre dekada pas bashkimit të Gjermanisë, një brez i ri grash di shumë pak për jetët e ndryshme që bënin nënat dhe gjyshet e tyre në varësi të pjesës së vendit ku jetonin.
Për shumicën e tyre, balancimi i punës dhe të qenit nënë, është bërë një mënyrë normale jetese. 18 vjeçarja Hannah Fiedler nga Berlini, thotë se fakti që familja e saj jetonte në Gjermaninë Lindore gjatë dekadave të ndarjes së vendit, nuk ka ndikim në jetën e saj sot.
“Lindje apo Perëndim – nuk është më as temë diskutimi në familjen tonë,” thotë ajo. Ajo shton se nuk ka përjetuar në jetën e saj ndonjë disavantazh sepse është femër.
“Unë jam e bardhë dhe e privilegjuar – për mirë a për keq – nuk pres ndonjë problem kur të hyj në tregun e punës në të ardhmen,” thotë ajo.
Disa dallime të vogla midis pjesëve të dikurshme të Gjermanisë vazhdojnë të ekzistojnë. Në ish-Lindjen, 74% e grave punojnë, krahasuar me 71.5% në Perëndim, sipas një studimi të vitit 2023 nga fondacioni Hans-Böckler-Stiftung.
Kujdesi për fëmijët është gjithashtu më i pranishëm në ish-Lindje sesa në Perëndim. Në vitin 2018, 57% e fëmijëve nën moshën 3 vjeç shkonin në çerdhe, ose kopshte në shtetin lindor të Saksonisë.
Ndëra në shtetin perëndimor North Rhine-Westphalia kjo shifër ishte 27% ndërsa në Hamburg dhe Bremen ishte 44%, sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë.
Gjermania është pas disa vendeve të tjera evropiane kur bëhet fjalë për barazinë gjinore. Vetëm 31.4% e ligjvënësve në parlamentin kombëtar të Gjermanisë janë gra, krahasuar me 41% në parlamentin e Belgjikës, 43.6% në Danimarkë, 45% në Norvegji dhe 45.6% në Suedi. Megjithatë, Leo, fermerja 81-vjeçare nga ish-Gjermania Lindore, është optimiste se përfundimisht gratë në të gjithë vendin do të kenë të njëjtat mundësi.
“Nuk mund ta imagjinoj të ketë ndonjë grua që nuk i pëlqen të jetë e pavarur,” tha ajo./voa/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...