Nga: Agim Hoxha
Shpeshherë jemi mësuar të dëgjojmë zëra, si: njerëzit në Kosove flasin vetëm për politikë ose është politizuar gjithçka? Të jetosh në Kosovë ku çdo mëngjes, që nga momenti kur ndezë televizorin, kur bënë hapin e parë dhe del nga shtëpia e deri në mbrëmje kur edhe njeriu kthehet në shtëpi, të imponohet të flasësh për politikë.
Si katalizator i gjithë kësaj është gjendja e rëndë institucionale, sociale dhe ekonomike. Sot, të gjithë ne jemi dëshmitarë se po jetojmë në një kohë krize ku janë thelluar problemet dhe vazhdojnë të thellohen edhe më shumë. E, për fat të keq, si zakonisht viktimë e mashtrimeve dhe abuzimit me ndjenjat dhe shpresat mbetet populli, i cili e tëra që kërkon është një mirëqenie më të mire sociale dhe ekonomike, ku nuk do të brengoseshin se çfarë po ndodhë në Parlament, por preokupim kryesorë do të kishin të shkonin në punë, ta jepnin kontributin e tyre secili në profesionin e tij, dhe kështu jeta do të normalizohej e secili do të lëvizte si sistemi i planetëve në galaktikë – si e kanë udhëpërshkrimin e tyre e nuk goditen nga njëra-tjetra.
Ndodhemi në kohën kur kemi Qeveri, por është jo funksionale; kemi gjyqësi, por nuk gjykohet drejtë; kemi Polici, por kohë pas kohe di të jetë e njëanshme dhe di të bëjë veprime selektive sipas instruksioneve të atyre që e kanë pushtetin. Shëndetësia, me ato të meta që i ka, mundohet sadopak t’i shërbejë këtij populli i cili ka marrë plagë të mëdha, si para lufte ashtu edhe pas saj. Sistemi arsimor kurrë nuk ka pasur kushte më të mira sesa sot – u ndërtuan shumë shkolla, por për çudi niveli i diturisë tek nxënësit është shumë më i dobët se gjeneratat e mëhershme të cilat kaluan në kushte më të vështira dhe sprova më të medha se gjeneratat që po shkollohen sot.
Ku qëndron problemi? Ose më mirë të themi qe sa ekziston ky problem?
Është pak e vështirë, por qeverisja e keqe i ngjan një topi dëbore i cili lëvizë nga lart dhe duke rrëshqitur e vazhdon të rritet. I tillë është fati i Kosovës që nga faza e pasluftës. Secili popull i cili kalon fazën e tranzicionit përballet me këto probleme, mirëpo si duket Kosova është ngujuar në këtë fazë dhe e ka shumë të vështirë të dalë. Përderisa në botën demokratike mjafton një skandal, një plagjiature ose një shkelje e Kushtetutës nga një deputet ose ministër përkatës, ai vetvetiu jep dorëheqje. Në Kosove shohim plotë skandale e dëme që i bëhen këtij vendi dhe sheh në televizor ministra të caktuar kur thonë “nuk jap dorëheqje dhe pikë”, thuajse atë karrige dhe atë post e ka të trashëguar nga paraardhësit – brez pas brezi.
Pozita dhe opozita janë duke i ngjarë atij tregimit të cilin besoj se të gjithë ne e kemi mësuar në shkollën fillore dhe e mbajmë mend edhe sot? Tregimi quhet “Dy dhitë dhe ura”. Dy dhi jetonin në një fshat, një ditë ato vendosin ta kalojnë lumin dhe të dalin në anën tjetër. Ato shkuan tek ura, por nuk mund të vendosnin se cila të kalojë e para. Njëra dhi thoshte se është më e vjetër dhe se ka përparësi që të kalojë e para. Tjetra dhi thoshte se kopeja e saj është më e madhe dhe ka përparësi që të kalojë e para. Duke u shtyrë me njëra-tjetrën se kush duhet të kalojë e para, ato ranë nga ura dhe u mbytën që të dyja në ujë.
Besoj se e kuptuat për kënd është fjala në tregimin tonë aktual?!
Në një anë kemi diktaturë, arrogancë, jotransparencë, ikje nga përgjegjësia dhe debati nga pozita. Në anën tjetër kemi gazin lotsjellës, dëmtimin e pronës shtetërore, dhunën – e që kjo e fundit gjatë zhvillimeve dhe fakteve historike na del se nuk ishte mjeti i duhur i zgjidhjes së problemeve.
Albert Ajnshtajnit ka thënë: “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njëjtin lloj të të menduarit që kemi përdorur kur i kemi krijuar ato (probleme)”!
Nëse pozita dhe opozita ia duan të mirën këtij vendi dhe dëshirojnë të punojnë për të mirën e këtij populli, ashtu siç flasin dhe kanë gojën plotë premtime për ndryshime në të mirën e qytetarëve në çdo fushatë zgjedhore, atëherë mendoj se koha ka ardhur që këto të dyja të ulen, të diskutojnë dhe të reflektojnë për zgjidhjen e kësaj krize politike dhe të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Ose, skenari i dytë, ndërhyrja e palës së tretë, trokitja e “postierit” në derën e udhëheqësve politikë dhe “zarfi i famshëm” i cili shpeshherë po na del që nuk është zgjidhja më e mirë, por e domosdoshme për ta kaluar këtë krizë politike e cila më vete po bart pasoja në çdo fushë të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Nagavci: Kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëv...
G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanov...
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...
Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit në 4-vjetorin e arre...
Alkent Pozhegu sjell artin e ri me portretet e Harrisit dhe ...