Për të dytin vit me radhë, Toka do të jetë me siguri më e nxehtë se ç’ka qenë më parë. Për herë të parë, globi do të bëhet këtë vit mbi 1.5 gradë Celcius më i nxehtë, krahasuar me mesataren e epokës paraindustriale, njoftoi të enjten agjencia evropiane e klimës “Copernicus”.
“Është natyra e pandalshme e ngrohjes që mendoj se përbën shqetësim”, tha Carlo Buontempo, drejtor i agjencisë “Copernicus”.
Zoti Bountempo tha se të dhënat tregojnë se planeti se nuk do të kishte përjetuar një sekuencë kaq të gjatë temperaturash rekord, pa rritjen e vazhdueshme të gazeve ndotës në atmosferë, që nxisnin ngrohjen globale.
Ai përmendi edhe faktorë të tjerë që kontribuojnë për vitet jashtëzakonisht të nxehtë, si viti i kaluar dhe viti i tanishëm. Ndër faktorët radhitet fenomeni El Nino – ngrohja e përkohshme e pjesëve të Paqësorit që ndikon tek ndryshimi i motit në mbarë botën, si dhe shpërthimet vullkanike që çlirojnë avuj në atmosferë, apo variacionet e energjisë nga dielli. Por, zoti Buontempo dhe shkencëtarë të tjerë thonë se rritja afatgjatë e temperaturave, përtej luhatjeve të përkohshme të shkaktuara nga fenomene si El Nino, është gjithashtu një shenjë e keqe.
“Një shfaqje e fortë e fenomenit El Nino është tregues se si do jetë situata një dekadë më vonë”, tha Zeke Hausfather, studiues me organizatën jofitimprurëse “Berkeley Earth”.
Lajmi për mundësinë e një viti të dytë me nxehtësi rekord erdhi ndërsa u rizgjodh president në Shtetet e Bashkuara kandidati republikan Donald Trump, i cili e ka quajtur “një mashtrim” ndryshimin klimatik dhe ka premtuar rritjen e prodhimit të naftës. Njoftimi u bë gjithashtu pak ditë përpara mbajtjes në Azerbajxhan të konferencës së radhës së OKB-së për klimën, COP29. Bisedimet pritet të përqëndrohen tek ngritja e fondeve prej triliona dollarësh për të ndihmuar tranzicionin në mbarë botën drejt energjisë së pastër, si atë diellore dhe nga era, për të shmangur ngrohjen e mëtejshme të planetit.
Të enjten u publikua gjithashtu një raport i Programit të OKB-së për Mjedisin, që bën thirrje për fonde për t’iu përshtatur nxehjes globale dhe pasojave të saj. Raporti thotë se gjatë vitit 2022 janë shpenzuar në mbarë botën 28 miliardë dollarë, shifra më e lartë historikisht, për t’iu përshtatur ndryshimit klimatik. Sidoqoftë, kjo shumë është ende shumë larg shumës së vlerësuar prej 187 deri në 359 miliardë dollarë në vit që nevojiten për t’u përballur me nxehtësinë, përmbytjet, thatësirat dhe furtunat e përkeqësuara për shkak të ndryshimit klimatik.
“Toka është në flakë”, u shpreh në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, me rastin e publikimit të raportit. “Njerëzimi i ka vënë zjarrin planetit dhe po e paguan çmimin” me pasojat tek më të pambrojturit, shtoi zoti Guterres.
Sipas të dhënave të OKB-së, që nga mesi i viteve 1800, bota është ngrohur tashmë mesatarisht me 1.3 gradë Celcius. Ky është një nivel më i lartë se parashikimi i mëhershëm prej 1.1 gradësh, apo 1.2 gradësh Celcius. Kjo është shqetësuese pasi OKB-ja thotë se objektivat e vendosura nga vendet për kufizimin e gazeve ndotës që çlirohen në atmosferë nuk do të jenë të mjaftueshme për t’iu përmbajtur objektivit prej 1.5 gradësh Celsius.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...