Dollari amerikan është rritur ndërsa Donald Trump është në prag të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Bitcoin gjithashtu ka arritur një rekord të ri, ndërsa tregtarët po presin për ulje të mundshme të taksave nën administratën e Trump.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë një ndikim të madh në ekonominë globale.
Këtë të mërkurë rritja e dollarit është me rreth 1.5% kundrejt një sërë monedhash të ndryshme, duke përfshirë paundin, euron dhe jenin japonez.
Indekset kryesore të aksioneve amerikane gjithashtu duket se do të hapen ndjeshëm më lart. Kjo erdhi pasi Dow Jones Industrial Average, S&P 500 dhe Nasdaq u mbyllën të gjithë me një rritje me 1% të martën.
Pse Bitcoin po rritet?
Trump është zotuar ta bëjë SHBA-në “kryeqytetin e bitcoin dhe kriptomonedhës në botë”.
Vlera e Bitcoin është rritur gjithashtu me 6,000 dollarë (4,645 £) në një nivel rekord prej 75,371,69 dollarë, duke tejkaluar nivelin e mëparshëm prej 73,797,98 dollarë të parë në mars të këtij viti.
Trump ka thënë se ka në plan të vendosë miliarderin Elon Musk në krye të një auditimi qeveritar.
Musk ka qenë prej kohësh një ithtar i kriptomonedhave dhe kompania e tij Tesla investoi në mënyrë të famshme 1.5 miliardë dollarë në Bitcoin në vitin 2021, megjithëse çmimi i monedhës dixhitale mund të jetë shumë i paqëndrueshëm.
Aksionet e Tesla-s të listuara në Frankfurt u rritën mbi 14% në hapjen e së mërkurës. Musk, aksioneri kryesor i Tesla-s, ka mbështetur Trump gjatë gjithë fushatës së tij elektorale.
Ekspertët, megjithatë, parashikojnë një ditë të trazuar diku tjetër në tregjet financiare si një përgjigje ndaj pasigurisë globale dhe planeve të mundshme të Trump për ekonominë.
“Shumë nga masat e tij do të jenë inflacioniste dhe ka të ngjarë të çojnë në një rritje të yield-eve të obligacioneve, duke ushtruar presion mbi Rezervën Federale në përpjekjen e saj për të ulur normat e interesit,” tha Lindsay James, strateg investimesh në Quilter Investors.
Donald Trump ka thënë se do të rriste në mënyrë dramatike tarifat tregtare, veçanërisht ndaj Kinës, nëse ai do të bëhej presidenti i ardhshëm i SHBA.
“Politikat e tregtisë globale të Trump po shkaktojnë ankth të veçantë në Azi, duke pasur parasysh platformën e fortë proteksioniste mbi të cilën janë zotuar tarifa më agresive për importet në SHBA,” tha Katrina Ell, drejtore e kërkimit ekonomik në Moody’s Analytics.
Qëndrimi më izolues i ish-presidentit ndaj politikës së jashtme ka ngritur gjithashtu pikëpyetje në lidhje me gatishmërinë e tij për të mbrojtur Tajvanin kundër agresionit të mundshëm nga Kina.
Ishulli vetëqeverisës është një prodhues i madh i çipave kompjuterikë, të cilët janë thelbësorë për teknologjinë që drejton ekonominë globale.
Në Kinën kontinentale, Indeksi Kompozit i Shangait e mbylli ditën me rënie 0.1%, ndërsa Hang Seng i Hong Kongut ra me rreth 2.23%.
Axhenda e Trump për uljen e taksave është mirëpritur gjerësisht nga korporatat e mëdha në SHBA.
“Nëse Trump zgjidhet, ne duhet të shohim politika pro bizneseve dhe ulje taksash, nga ana tjetër duke nxitur inflacionin dhe më pak ulje të normave,” tha Jun Bei Liu, menaxher i portofolit në Tribeca Investment Partners.
Investitorët kanë gjithashtu çështje të tjera kryesore për t’u përqëndruar në këtë javë.
Të enjten, Rezerva Federale e SHBA do të shpallë vendimin e saj të fundit për normat e interesit.
Komentet e kreut të bankës qendrore, Jerome Powell, do të shikohen nga afër në mbarë botën.
Të premten, zyrtarët e lartë kinezë pritet të zbulojnë më shumë detaje në lidhje me planet e Pekinit për të trajtuar ngadalësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë./euronews.al
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...