Google ADS

Përurohet nisja e punimeve që e lidh Pallatin e Rinisë me lagjen Arbëria në kryeqytet, marrin pjesë Rama e Abdixhiku

13:09 | 6 Nëntor 2024
E.H

Sot u mbajt ceremonia e përurimit të punimeve në Platformën “Arbëri – Pallati i Rinisë,” një projekt transformues dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin urban të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës njofton se ky projekt ka për qëllim krijimin e një hapësire multifunksionale që lidh qendrën e qytetit me lagjen Arbëria, duke ofruar mundësi të reja për banorët e Prishtinës, përcjell Arbresh.info

Në ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilët theksuan rëndësinë e projektit për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e infrastrukturës urbane.

“Ky projekt do të ndërlidhë lagjen Arbëria, ku jetojnë mbi 30 mijë banorë, me qendrën e qytetit. Premtimet po i shndërrojmë në realitet, dhe përmes dedikimit profesional dhe planifikimit të mirë, po e kthejmë Kryeqytetin në një metropol të vërtetë. Përfitimet e kësaj platforme do të jenë shumëdimensionale,” theksoi Rama.

Ndërkohë, Abdixhiku, shprehu mbështetjen e tij për projektin, duke theksuar se ai përfaqëson një gurthemel në zhvillimin e qytetit.

“Përparimi po lë një shenjë historike në Prishtinë, duke përmbushur një premtim të fushatës elektorale për lidhjen e Arbërisë me qendrën e qytetit. Jemi krenarë dhe mbështetës për këtë arritje!”, tha Abdixhiku.

Në njofton thuhet se platforma “Arbëri – Pallati i Rinisë” pritet të bëhet një qendër dinamike e aktiviteteve dhe një pikë referimi e re për të gjithë qytetarët e Kryeqytetit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme