Protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë të kuqe në ndërtesën e kuvendit komunal të Novi Sadit gjatë një proteste të martën mbrëma, pas incidentit në stacionin hekurudhor të qytetit ku humbën jetën 14 njerëz.
Dyert prej xhami të ndërtesës së komunës u thyen dhe një grup personash me maska hodhën mjete piroteknike brenda saj.
Forcat policore, të vendosura brenda ndërtesës, iu përgjigj protestuesve duke hedhur gaz lotsjellës mbi ta.
Misa Baculov, përfaqësues i grupit qytetar “Ji Hero” dhe ish-kandidat për kryetar komune, u bëri thirrje protestuesve të jenë paqësorë dhe kërkoi nga policia t’i hapë dyert e komunës, në mënyrë që protestuesit t’i dorëzonin kërkesat e tyre.
Së paku 14 njerëz humbën jetë si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë të premten. Tre njerëz u lënduan dhe ende janë në gjendje të rëndë.
Demonstruesit, të cilët u mblodhën pas thirrjeve nga partitë opozitare dhe grupet qytetare, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq, si dhe arrestimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm të përgjegjësve për shembjen e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Serbisë javën e kaluar.
Ata, gjithashtu, kërkojnë qasje publike në kontratën me konsorciumin kinez që rinovoi stacionin, si dhe publikimin e kontratave të tjera të fshehta me kompanitë private të përfshira në projektet kryesore të infrastrukturës kombëtare.
Protestuesit sollën një rimorkio traktori të mbushur me pleh, të cilin e derdhën para ndërtesës së komunës.
“Ky pleh simbolizon atë që ata na kanë bërë për vite me radhë”, tha Baculov.
Mijëra njerëz u mblodhën fillimisht te stacioni i trenit, ku ndodhi aksidenti më 1 nëntor, dhe më pas marshuan nëpër qendrën e Novi Sadit, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Ju jeni fajtorë, do të përgjigjeni”.
Fotot e viktimave, përfshirë fëmijë, u shfaqën në ballë të protestës, dhe turma thërriste “Dorëheqje”, “Burg” dhe “Arrestoni bandën”.
Incidente ndodhën edhe përpara zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ku disa demonstrues hodhën gurë dhe objekte të tjera, duke thyer dritaret e ndërtesës. Demonstrues të tjerë u përpoqën ta ndalojnë këtë, duke thënë se agresorët ishin ndoshta të vendosur për të nxitur trazira.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk është hera e parë. Millosh Vuçeviq, Millan Gjuriq, Aleksandar Vuçiq [presidenti i Serbisë] – ju jeni fajtorë”, tha aktorja Vesna Pecinar në fillim të protestës.
Një nga shoqatat më të mëdha të taksive në qytet iu bashkua protestës, duke marrë duartrokitje dhe thirrjet “Ju lumtë” kur mbërritën me automjetet e tyre.
Një ditë më parë, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës i Serbisë, Goran Vesiq, njoftoi se do të japë dorëheqje nga posti zyrtarisht më 5 nëntor, pas incidentit vdekjeprurës në Novi Sad.
Megjithatë, Vesiq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se nuk e pranon fajin për incidentin, por se po tërhiqet si “njeri i përgjegjshëm”.
Nuk dihen ende arsyet e shembjes së mbulesës së betonit të Stacionit Hekurudhor.
Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad tha se i ka dëgjuar dëshmitë e 40 njerëzve deri më 3 nëntor, duke përfshirë ministrin Vesiq dhe ata që janë përgjegjës për “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe ata që janë përgjegjës për kryerjen e punëve.
Presidenti serb Vuçiq tha të hënën se është “i sigurt” se autoritetet kompetente shtetërore do ta gjejnë se kush është përgjegjës për tragjedinë.
Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.
Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.
Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.
Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez./rel/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...