Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) tha të martën se pesë qendra votimi në disa shtete amerikane kanë qenë në shënjestër të kërcënimeve me bombë, dhe se shumica e kërcënimeve duket se vijnë nga domene ruse.
Së paku dy qendra votimi në shtetin e Xhorxhias u evakuuan për shkak të kërcënimeve, thanë zyrtarët. Por, ato u ripahën pas rreth 30 minutave, dhe tani autoritetet po presin një vendim të gjykatës për ta zgjatur kohën e votimit përtej kohës gjithëkombëtare të mbylljes së votimit në orën 19:00, për ta kompensuar kohën e humbur gjatë evakuimit.
Brad Raffensperger, sekretari i Shtetit i Xhorxhias, tha se prapa kërcënimeve me bombë qëndron Rusia.
“Duket se ata kanë filluar të bëjnë ligësi. Ata nuk duan që ne të kemi zgjedhje të mira, të drejta dhe të sakta dhe, nëse ai dalin të na nxisin të luftojmë kundër njëri-tjetrit, atëherë këtë e llogarisin si fitore”, tha Raffensperger për gazetarë.
FBI-ja tha në një komunikatë se asnjëri nga kërcënimet nuk është i besueshëm.
Vetëm Xhorxhia i ka pranuar më shumë se dy duzina kërcënime të rrejshme me bombë në ditën e zgjedhjeve, tha një zyrtar i FBI-së për Reuters.
Më herët gjatë ditës, zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe ata të sigurisë e akuzuan Rusinë dhe Iranin për intensifikimin e sulmeve kibernetike dhe fushatave dezinformuese, që thanë se synojnë të ndjellin përçarje, teksa amerikanët votojnë në zgjedhjet e tensionuara presidenciale.
Aktorët e ndikimit, të lidhur me Rusinë, “po krijojnë video dhe artikuj të rremë për të minuar legjitimitetin e zgjedhjeve, për të nxitur frikë te votuesit sa i përket procesit zgjedhor dhe duke sugjeruar që amerikanët po përdorin dhunë ndaj njëri-tjetrit për shkak të preferencave politike”, u tha në njoftimin e lëshuar më 4 nëntor nga Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës.
“Këto përpjekje rrezikojnë të nxisin dhunë, përfshirë ndaj zyrtarëve zgjedhorë”, thanë këto agjenci.
Agjencitë e inteligjencës në SHBA për muaj të tërë kanë paralajmëruar se ka përpjekje të mbështetura nga Qeveria ruse për të ndikuar në zgjedhjet amerikane, ku po përballen ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris.
Sondazhet para zgjedhjeve sugjeruan se gara do të jetë e ngushtë, duke rritur tensionet, teksa votuesit iu drejtuan kutive të votimeve pas një fushate të ashpër.
Si Teherani, ashtu edhe Moska kanë mohuar se luajnë rol në ndonjë fushatë dezinformuese gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane./rel/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...