Google ADS

Kurti: Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkojnë kujdes shoqëror dhe drejtësi

19:54 | 5 Nëntor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni Jahjaga, me temën “Avancimi i Rolit të Gruas, Paqes dhe Sigurisë”, që u mbajt në Prishtinë.

Në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se shënimi 25-vjetorit të përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit tonë këtë viti ishte përplot me ngjarje reflektimi dhe frymëzimi, siç është edhe kjo e sotmja, e organizuar nga Fondacioni Jahjaga, shkruan Arbresh.info.

E ndërsa punojmë për të ardhmen, Kurti potencoi se është thelbësore ta kujtojmë të kaluarën, sfidat e përjetuara dhe guximin e jashtëzakonshëm që ka treguar populli ynë, e në veçanti gratë e Kosovës.

“Rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore. Na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin dhembjen e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, u shpreh kryeministri.

Fjalën e tij e vijoi duke theksuar se është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka filluar dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe qeveria po mbështet aplikimin e të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, duke financuar organizatat e autorizuara.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se derisa shënojmë 25 vjet liri e paqe, kujtojmë të gjitha viktimat dhe të mbijetuarat, dhe nderojmë qëndresën e grave dhe të vajzave pa dallim, që mbi shkatërrimin e luftës, po ndërtojnë paqen e tashme dhe të së ardhmes.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që gratë dhe vajzat, nga çdo komunitet, të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje dhe se agjenda për barazi, përtej së qeni një premtim i së ardhmes, është angazhim i yni i përditshëm. Kështu duke punuar bashkë për të tashmen, po i ngrisim të fortë e të qëndrueshëm themelet e barazisë mes individëve e të paqes midis popujve, që t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi secilën e secilin, përfshirë Fondacionin Jahjaga, për kontributin për Republikën tonë, duke siguruar se jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës,

I nderuari z.Xavier Bettel, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Tregtisë së Luksemburgut,

Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit,

Kryetar i Komunës së Prishtinës,

Shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë,

I nderuari komandant i KFOR-it, gjeneral major, Barduani,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile,

Të dashura të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në vendin tonë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

 

Ky vit, duke qenë 25- vjetori i përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit tonë, ishte përplot me ngjarje reflektimi dhe frymëzimi, siç është edhe kjo e sotmja, e organizuar nga Fondacioni Jahjaga.

 

Është thelbësore që ndërsa punojmë për të ardhmen, ta kujtojmë të kaluarën, sfidat e përjetuara dhe guximin e jashtëzakonshëm që ka treguar populli ynë, e në veçanti gratë e Kosovës.

 

Rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore. Na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin dhembjen e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes.

 

Në këtë proces, tashmë kemi miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Po ashtu, kemi filluar dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Po e mbështesim aplikimit e të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, duke financuar organizatat e autorizuara.

Andaj, derisa shënojmë 25 vjet liri e paqe, kujtojmë të gjitha viktimat dhe të mbijetuarat, dhe nderojmë qëndresën e grave dhe të vajzave pa dallim, që mbi shkatërrimin e luftës, po ndërtojnë paqen e tashme dhe të së ardhmes.

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

 

Paqja nuk mund të arrihet pa gjithëpërfshirje. Ne e njohim rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave, që ato të dëgjohen e që pikëpamjet e tyre të respektohen. Diversiteti që kemi në Kosovë, është pasuri e potencial i përbashkët për shtetin tonë, me mundësi të barabarta për secilën e secilin. Një shoqëri që vlerëson çdo zë, çdo kontribut dhe çdo ëndërr të të gjithë qytetarëve.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që gratë dhe vajzat, nga çdo komunitet, të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje.

 

Për këtë, po përkrahim edukimin e punësimin, për të gjitha vajzat, duke filluar sidomos nga shkolla e mesme. Konkursi për bursa për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian në shkollat e mesme, edhe këtë vit është i hapur. Për vitin shkollor 2023-2024, janë ndarë 467 bursa, nga të cilat 244 (52%) ishin për vajza. Ndërsa, në universitetet publike, 55 studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kanë përfituar bursa në vitin akademik 2023-2024. Prej tyre, 64% (ose 35 bursa) janë ndarë për vajza.

 

Nëpërmjet platformës Kosovo Generation Unlimited ofrojmë praktikë me pagesë, ku shumica e praktikantëve deri tani – 59% – janë gra dhe vajza. Të rinjtë nga komunitetet joshumicë janë të mbipërfaqësuar, me 16% të numrit total të praktikantëve të cilët vijnë nga komunitetet pakicë. Tek praktikantët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, 68% janë gra dhe vajza.

 

Përkushtimi i Qeverisë për të siguruar që vajzat dhe gratë të kenë qasje në tregun e punës dhe të drejta të plota për arsim dhe shëndetësi reflektohet gjithashtu edhe në aktivitetet e Grupit Punues të themeluar para 11 muajve për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme.

 

Agjenda për barazi, përtej së qeni premtim i së ardhmes, është angazhim i yni i përditshëm. Duke punuar bashkë për të tashmen e në të tashmen, po i ngrisim të fortë e të qëndrueshëm themelet e barazisë mes individëve e të paqes midis popujve, në mënyrë që këtë ta lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.

 

Në emër të Qeverisë së Kosovës, dua të falënderoj secilën e secilin nga ju, e në veçanti Fondacionin Jahjaga, për kontributin për Republikën tonë.

 

Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta.

 

Edhe njëherë i dëshiroj mirëseardhje mikut tim Xavier, shkëlqesisë së tij Bettel nga Luksemburgu, me të cilin kam pasur kënaqësinë dhe nderin të takohemi tri herë për dy vite dhe në takimin e fundit e morëm vesh që kravata ime është nga Luksemburgu, ndërkaq xhaketa e tij është nga Kosova. E krejt rastësisht prodhuesi i xhaketës së tij është i njëjti me prodhuesin e këmishës sime, që është dëshmi edhe e miqësisë midis Luksemburgut e Kosovës, por edhe i prodhimtarisë në rritje në vendin tonë, ku sërish gratë janë motori i pazëvendësueshëm i padiskutueshëm.

 

Ju falemnderit!/Arbresh.info/

Të ngjashme