Një raketë ruse, që u nis me sukses të martën në mëngjes, dërgoi dy satelitë iranianë në orbitë, një veprim që pasqyron bashkëpunimin në rritje midis Moskës dhe Teheranit.
Raketa “Soyuz” u ngrit siç ishte planifikuar nga baza ushtarake në Vostochny, në lindje të Rusisë dhe dërgoi ngarkesën e saj në orbitë nëntë minuta pas nisjes. Ajo mbante dy satelitë rusë vëzhgimi “Ionosphere-M” dhe disa dhjetëra satelitë më të vegjël, duke përfshirë dy satelitët iranianë.
Dy satelitët e Iranit, të quajtur “Kowsar” dhe “Hodhod”, ishin të parët të lëshuar për nevojat e sektorit privat të vendit. Në vitin 2022, një raketë ruse dërgoi në hapësire një satelit iranian të quajtur “Khayyam”, që u prodhua në Rusi me porosi të Teheranit dhe në shkurt Rusia dërgoi në orbitë një satelit tjetër iranian të quajtur “Pars-1”.
Dërgimi i satelitëve iranianë në orbitë nga Moska pason zgjerimin e bashkëpunimit mes Rusisë dhe Iranit në sfera të ndryshme. Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Teheranin se i ka ofruar Moskës qindra dronë, që ushtria ruse i ka përdorur në luftën kundër Ukrainës. Kievi gjithashtu ka akuzuar Teheranin se po ndihmon Moskën në përpjekje për fillimin e prodhimit të këtyre dronëve në Rusi. Dërgesat e dronëve iranianë, të cilat Moska dhe Teherani i kanë mohuar, kanë ndihmuar ushtrinë ruse të kryejë sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës së Ukrainës.
Moska dhe Teherani po planifikojnë të forcojnë më tej lidhjet e tyre me një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” që do të nënshkruhet gjatë vizitës së planifikuar të presidentit iranian Masoud Pezeshkian në Rusi. Data e asaj vizite nuk është caktuar ende, por Kremlini tha se kjo mund të ndodhë së shpejti.
Agjencitë amerikane të zbulimit këtë vit thanë se zhvillimi nga Irani i pajisjeve satelitore do ta ndihmonte Teheranin “të shkurtonte afatin kohor” të prodhimit të raketave balistike ndërkontinentale, sepse për prodhimin e tyre përdoren teknologji të ngjashme. Më pas ato mund të pajisen me armë bërthamore.
Teherani ka uranium të pasuruar mjaftueshëm për “disa” armë bërthamore, nëse vendos t’i prodhojë ato, ka paralajmëruar kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Irani i ka mohuar akuzat se dëshiron të prodhojë armë bërthamore dhe thotë se programi i tij hapësinor, ashtu si aktivitetet e tij bërthamore, janë për qëllime thjesht civile. Megjithatë, agjencitë amerikane të zbulimit dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thonë se Irani kishte një program të organizuar bërthamor ushtarak deri në vitin 2003./voa/
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...