Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit në 4-vjetorin e arrestimit: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze

14:32 | 5 Nëntor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar sot familjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Rexhep Selimi në katër vjetorin e arrestimit të tij.

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Rexhep Selimi po mbahet padrejtësisht në burgun e Hagës ndërsa kanë theksuar, se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë gjykatë, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës. Një figurë e çmuar që i shërbeu vendit si ish-komandant i UÇK-së dhe më pas si deputet që nga hyrja jonë në institucione në vitin 2010, si anëtar i Kryesisë dhe si Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi ka qenë gjithmonë simbol i vendosmërisë dhe triumfit.

Sot, vizita e Kryeministrit Kurti bashkë me krerë të tjerë të institucioneve dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme