Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, i cili akuzohet për korrupsion, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se nuk ka përfituar asgjë dhe se mendon që Komuna nuk është dëmtuar nga dy proceset për shkollat në Dobroshevc dhe Drenas, për të cilat akuzohet.
“Nuk kam përfitu asgjë, as që kam menduar të përfitoj…”, tha i akuzuari.
Tahiraj akuzohet lidhur me riparimin e kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, si dhe për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, investime këto që sipas aktakuzës, janë kryer pa procedura të tenderimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë rigjykimi, i akuzuari deklaroi se mbetet në tërësi pranë asaj që ka deklaruar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Tahiraj theksoi se për rastin kishte kuptuar vetëm kur ishte ftuar nga komisioni disiplinor dhe kur pranoi ftesën nga Policia për të dhënë deklaratë.
I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Blerim Qela se a është dëmtuar Komuna e Drenasit në çfarëdo forme nga procedurat për të cilat flitet në aktakuzë, Tahiraj e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, nuk mendoj se është dëmtuar Komuna e Drenasit”, tha Tahiraj.
I akuzuari pohoi se e kishte nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit në mes të Komunës së Drenasit dhe Al Trade. Këtë tha e bëri duke menduar të ndihmojë shkollën.
Në këtë seancë, u dha edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë, meqë rast prokurorja Dulina Hamiti deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit të kaluar. Ndërsa, avokati Qela fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 mars 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Tahiraj, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndaj këtij vendimi, brenda afatit ligjor ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar Apelit, aprovimin e ankesës, ndryshimin e aktgjykimit, ashtu që i akuzuari të shpallej fajtor apo çështja të kthehej në rigjykim. Duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar, sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare, Apeli ka gjetur se i njëjti është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Andaj, Apeli më 8 shkurt 2021 ka anuluar aktgjykimin lirues të shkallës së parë duke e kthyer në rivendosje.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij. Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015, me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe kompanisë së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Akti akuzues, thotë se me këtë rast është dëmtuar Komuna e Drenasit dhe është dashur të paguajë përmes përmbaruesit privat shumën prej 17.043.50 euro. Ndërsa, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, thuhet se është dashur të paguajë shumën prej 8.454.31 euro.
Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, me ç’rast më 21 shtator 2018, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa, në rastin tjetër ku i bashkakuzuar kishte qenë edhe ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku, të dy të akuzuarit janë liruar nga akuza.
Në këtë rast, Tahiraj akuzohet se në vitin 2014 ka keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos respektuar procedurat e prokurimit publik lidhur me furnizimin me vaj (antifiriz) për ngrohjen qendrore të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...
Mbahet takimi i 257-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, m...
Dabiqaj heroi i Dritës, “Intelektualët” shkëputen në tabelë
Detaje nga takimi i Kurtit me kryetarin e Kuvendit të RMV-së...
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...