Pensilvania është në qendër të sfidës mes Kamala Harris dhe Donald Trump për Shtëpinë e Bardhë dhe kjo e kthen vëmendjen përsëri te shteti që shpesh ka rezultuar vendimtar në transformimet e Amerikës.
Historia e Pensilvanisë fillon në vitin 1681, kur Mbreti Charles II i Anglisë i dha William Pennit, një sipërfaqe të madhe toke. Penn themeloi Pensilvaninë me qëllimin për të krijuar një vend të tolerancës fetare dhe qeverisjes demokratike. Idetë e tij për lirinë dhe barazinë e transformuan Pensilvaninë në një fener shprese, duke tërhequr emigrantët evropianë që kërkonin të drejta. “Korniza e Qeverisë” e Pennit është një nga shembujt e parë të një karte kushtetuese: ajo përfshin parime që, një shekull më vonë, frymëzuan Kushtetutën Amerikane.
Në kohën e kolonive, vlera e ideve konkurronte me atë të gjeografisë, sepse të gjithë rendnin për eksplorimin e Perëndimit të Largët dhe Pensilvania u mësy nga pionierë, që u zhvendosën nga brigjet e Atlantikut drejt lumit Ohio, kufiri i parë i vërtetë që duhej kapërcyer.
Robert La Salle ia doli, duke e kaluar në vitin 1669 në Kentakin e sotëm, dhe emri i tij e ka prejardhjen nga fjala e fiseve iroki “O-y-o”, që do të thotë lumë i madh. Rrjedha e të cilit, duke kaluar nëpër Pittsburgh, e bën Pensilvaninë një shtet Atlantik që kufizohet me Perëndimin e Mesëm (Midwest-in), një urë natyrore midis origjinës së Amerikës në Atlantik dhe tokave të reja të Perëndimit.
Kur filloi revolucioni në vitin 1775, ishte Filadelfia, qyteti më i madh në shtet, që u bë zemra e revoltës kundër Perandorisë Britanike dhe, vitin e ardhshëm, përfaqësuesit e 13 kolonive rebele nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në atë që sot njihet më mirë si Salla e Pavarësisë, ku çdo student amerikan shkel pasi ndalon para “Këmbanës së Lirisë”, e cila kumboi në ditën e parë të “Ditës së Pavarësisë”, duke u bërë më vonë një simbol i lëvizjes kundër skllavërisë.
Në Sallën e Pavarësisë u hodhën themelet e Republikës, duke shprehur dëshirën për pavarësi dhe vetëqeverisje që 11 vjet më vonë e riktheu Filadelfian në protagoniste të mbledhjes së 54 delegatëve që hartuan Kushtetutën, duke krijuar një sistem qeverisjeje të bazuar në ekuilibrin midis pushteteve, federale dhe shtetërore, dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Në vetë Sallën e Pavarësisë, në vitin 1794 u zhvillua një votim që u shndërrua në legjendë. Mocioni për përkthimin e ligjeve në gjermanisht iu paraqit Kongresit. Pensilvania, e banuar nga një numër i madh emigrantësh gjermanë, është origjina e mitit rreth debatit për gjuhën e kolonive. Peticioni u refuzua me vetëm një votë avantazh – 42 kundër 41 – dhe ai që bëri diferencën ishte abstenimi i Frederick Muhlenberg, Kryetari i parë i Kongresit, i cili pavarësisht origjinës së tij gjermanike tha: “Sa më shpejt gjermanët të bëhen amerikanë, aq më mirë”. Dhe kjo mjaftoi për të përcjellë tek pasardhësit emocionin se ky ishte momenti në të cilin anglishtja u vendos si gjuhë zyrtare.
Në vitin 1863, Unioni u përfshi nga lufta civile e shkaktuar nga revolta e jugut kundër heqjes së skllavërisë, gjë që e kishte vendosur Presidenti Abraham Lincoln. Një nga betejat më dramatike u zhvillua, në korrik të atij viti, në Gettysburg, ku forcat e Unionit i mposhtën forcat e Konfederatës së gjeneralit Robert Lee, duke i detyruar të tërhiqen drejt Jugut.
Në të njëjtin vend, disa muaj më vonë, Lincoln mbajti të famshmin fjalim të Gettysburg-ut, duke përsëritur vlerat e të gjithë kombit, për ta quajtur sakrificën e të rënëve si “një fillim i ri i lirisë”.
Me ardhjen e shekullit të 19-të dhe revolucionin industrial, Pittsburghu dhe fabrikat e tij të qymyrit dhe çelikut u bënë motorët e transformimit ekonomik. Këto uzina çeliku ishin vendimtare për ndërtimin e hekurudhave, forca shtytëse e bumit industrial, i zgjatur prej luftërave botërore. Dhe kjo çoi në beteja sindikaliste për kushtet e punës, paga të mira dhe mbrojtjen nga aksidentet, duke sjellë arritjet e drejtësisë sociale që janë bërë një trashëgimi kolektive.
Fillimi i shekullit të 21-të kalon nëpër livadhin e Shanksville, në County Somerset, ku u rrëzua një nga katër avionët e rrëmbyer nga terroristët e Al Kaedës në sulmin e 11 shtatorit 2001.
Pasqyrë e një popullsie urbane rurale dhe liberale konservatore, në zgjedhjet më të fundit Pensilvania është shndërruar nga një bastion demokratik në “shtet swing”, domethënë shtet i luhatshëm: në 2008 dhe 2012 ajo ia dha presidencën Obamës, në 2016 Trumpit dhe në 2020 Bidenit. Dhe edhe sot kombi pret verdiktin e saj. Sepse historia amerikane kalon nëpër tokat e William Pennit. / bota.al
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...