Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Ai ishte folës kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.
Në adresimin e tij hyrës, ai fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë.
“Si një vend i ri me një angazhim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë”, u shpreh ai.
Duke nënvizuar arritjen e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, ai u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike. Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje, u shpreh më tej.
Me këtë rast, kryeministri foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit. Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha Kurti, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona.
Ai tha se kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë.
“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Sot ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se për të patur zhvillim nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”, potencoi Kurti.
Ai këtë e mbështeti me indikatorët e performancës ekonomike, politikat sociale, mbështetjen për qytetarë, punësimin, rritjen e pensioneve, pagave dhe pagës minimale, në të njëjtën kohë kur kemi treguar përparim dhe përmirësim në demokraci, në sundim të ligjit, në liritë civile dhe të drejtat politike, siç dëshmohen në raporte të ndryshime ndërkombëtare.
Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri.
Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.
“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.
Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë../Arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...