Në një intervistë për mediet greke pas takimit të Selanikut me emigrantët, kryeministri Edi Rama sqaron dhe arsyet përse nuk u takua me Belerin kur erdhi në Tiranë javën e shkuar si pjesë e delegacionit të eurodeputetëve për Komitetin e Stabilizim-Asociimit.
“Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq. Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën”, tha Rama.
Rama shprehu vlerësimet e tij për kryeministrin Mitsotaqis, duke e cilësuar një mik.
“Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent, shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti. Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq. Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë, dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë”, tha Rama.
I pyetur për çështjen e pronave të minoritarëve grekë në Himarë, kryeministri u tha gazetarëve grekë se janë të keqinformuar dhe një pjesë e tyre kanë dezinformuar me lajmet për këtë çështje.
“Ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mira dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediet greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk bazohen në fakte. Kjo është thjesht propagandë”, tha Rama.
Ashtu siç e tha dhe në fjalimin me shqiptarët që morën pjesë në takimin e Selanikut, Rama riktheksoi se për të është shumë e rëndësishme miqësia mes dy popujve. /Tv Klan/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...