Google ADS

Zelensky sërish kërkon që Ukrainës t’i lejohen sulmet thellë brenda Rusisë

19:44 | 31 Tetor 2024
K.B

Presidenti Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës që t’i lejojnë shtetit që të përdorë armët e avancuara perëndimore për të goditur thellë brenda Rusisë. Kjo thirrje u bë pasi një sulm izraelit në Harkiv la të vrarë tre persona dhe plagosi të paktën 36 persona.

Dy djem, të moshës 11 dhe 15 vjeç, ishin në mesin e viktimave, njoftuan autoritetet.

Forcat ruse raportohet se kanë përdorur bombat e llojit FAB-500 për të sulmuar një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë. Këto lloje bombash janë armë të fuqishme që Rusia gjithnjë e më shumë po përdor për të sulmuar caqet civile brenda Ukrainës.

“Tragjikisht, ka viktima, përfshirë fëmijë dhe më shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja”, shkroi Zelensky në X, duke bashkëngjitur një video nga vendi i sulmuar.

Guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov, ndërkaq deklaroi se kati i katërt i ndërtesës u godit nga bombat, duke shkaktuar zjarr. Pas këtij sulmi, në pjesë të Harkivit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Sulmi në Harkiv ishte i treti gjatë kësaj jave. Të paktën katër persona u vranë në dy sulmet paraprake në qendër të qytetit, sulme që u kryen me bomba dhe raketa./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme