Google ADS

Suspendohen tre zyrtarë policorë në Prishtinë, dyshohet se keqtrajtuan për parking punonjësin e EULEX-it

17:23 | 31 Tetor 2024
E.H

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se kanë suspenduar tre zyrtarë policor në Prishtinë pasi që kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se sot zyrtarët policor kanë arrestuar dhe shoqëruar një punonjës të sigurimit të EULEX-it pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture afër stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përcjell Arbresh.info.

“Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar (punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it) pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private (të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor) para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX-it ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti.

“Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent i cili poashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në këto veprime fillestare hetimore, me dyshimin se zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë kryer veprën penale “ Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejt në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast”, njofton IPK./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme