Ndërhyrja e Serbisë përmes Diplomacisë Ligjore, pasojë e gabimeve strategjike të Kosovës në dialogun e Brukselit dhe Ohrit

15:45 | 31 Tetor 2024
E.K

Kjo nismë e fundit ligjore e Serbisë për krijimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues që synon ndjekjen penale të veprave të kryera në territorin e Kosovës përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sovranitetin e Republikës së Kosovës. Si deputet dhe ushtarak, e shoh këtë projektligj si një lëvizje strategjike të Beogradit për të minuar autoritetin e Kosovës, për të rritur tensionet në veri dhe për të forcuar legjitimitetin e strukturave paralele serbe. Ky veprim vjen si rezultat i një serie marrëveshjesh të mëparshme në dialogun e Brukselit dhe Ohrit, të cilat kanë mundësuar rritjen e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës, duke sfiduar sovranitetin dhe integritetin e saj, siç ndodhi me pasaportat paralele.

Në themel të këtij projektligji qëndron përpjekja për të legjitimuar narrativën serbe se qytetarët serbë në Kosovë janë të “persekutuar.” Duke krijuar një prokurori të veçantë dhe departament të posaçëm për ndjekjen e krimeve në Kosovë, Serbia përdor instrumentet e “diplomacisë ligjore” për të forcuar kontrollin dhe ndikimin e saj mbi serbët në veri të Kosovës, duke u siguruar që ata të mbeten të lidhur ngushtë me Beogradin. Në vend që të jetë një mjet për ndihmë juridike, kjo strukturë synon krijimin e një rruge të re për Beogradin për të ndërhyrë në qeverisjen e Kosovës dhe për të minuar përpjekjet e Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në të gjithë territorin.

Nga ana tjetër, këto zhvillime janë rezultat i drejtpërdrejtë i gabimeve të qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit dhe Ohrit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë viteve, përfshirë edhe atë për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, kanë vendosur baza për një autonomi territoriale që cenon sovranitetin e Kosovës dhe legjitimon ndërhyrjen e Serbisë. Duke krijuar “ZSO”-në, Kosova është vendosur në një pozicion ku nuk ka më asnjë mekanizëm efektiv për të integruar serbët në strukturat e saj shtetërore. Përkundrazi, këto marrëveshje po krijojnë një zonë brenda Kosovës ku ligjet dhe politika vendosen nga Beogradi dhe jo nga Prishtina. Statuti i “Zajednicës” do të jet kushtetuta e “zajednicës” kurse “zyra për Kosovën” në qeverinë e Beograditdo të shndërrohet në “qeverinë e zajednicës”.

Gjithashtu, dialogu është kthyer në një proces që ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike dhe jo më një platformë për arritjen e njohjes reciproke dhe të sovranitetit të Kosovës. Pa një qëndrim të qartë dhe pa kushte, qeveria e Kosovës ka lejuar që procesi të rrëshqasë në favor të Serbisë, duke u përqendruar në implementimin e obligimeve pa kërkuar llogaridhënie dhe detyrime të njëjta nga Beogradi. Si pasojë, çështja e njohjes ka dalë nga agjenda, ndërsa Serbia po synon ta fuqizoj juridiksionin e saj në Kosovë përmes një projekti për “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale,” i cili synon të ruajë kontrollin ekonomik dhe kulturor mbi komunitetet serbe.

Kjo situatë kërkon një reagim të fuqishëm nga institucionet e Kosovës….
Kuvendi dhe Qeveria duhet të denoncojnë këtë ndërhyrje si shkelje të sovranitetit dhe si përpjekje për të bllokuar Kosovën në përparimin e saj si shtet i pavarur i shqiptarëve dhe komuniteteve tjera. Kosova duhet të rishikojë dhe të riadresojë qasjen e saj në dialog, duke kërkuar që çështja e sovranitetit dhe njohjes të kthehet në qendër të procesit dhe që të gjitha marrëveshjet të respektojnë dhe forcojnë unitetin territorial dhe institucional të vendit.

Shkruan: Hisen Berisha, deputet i PDK-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme