Google ADS

Nuredin Ibishi thotë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë luftës

15:03 | 31 Tetor 2024
E.K

Dëshmitari Nuredin Ibishi deklaroi të enjten në Hagë se nuk e ka ditur rolin e Rexhep Selimit gjatë periudhës së luftës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Christoph Barthe, dëshmitari tha se më vonë e ka kuptuar se ai ka qenë shef i Inspektoratit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë në kohën.. nuk e kam ditur. Më vonë e kam kuptu. Shumë vonë”, tha Ibishi.

Ai u pyet se çfarë roli ka menduar se e kishte Rexhep Selimi kur ai e ka takuar në gusht të ’98-ës.

“S’kam pas kurrfarë njohurie përveç Jakup Krasniqit dhe normal Bislim Zyrapit që ka qenë në atë aspektin si përfaqësues të them ashtu shef Shtabi për aspekte ushtarake. Po i referohna takimit të dytë, i referohem më shumë Bislim Zyrapit e jo të gushtit”, tha Ibishi.

Dëshmitari gjithashtu tha se edhe gjatë takimeve që i kanë realizuar, në dy raste, nuk e di nëse Selimi ishte shef i Inspektoratit.

“Më vonë e kam kuptuar se ai mund të ketë qenë, por kjo është më vonë se ai ka qenë shef i Inspeksionit. Mirëpo, tash nuk e di se a ka vlejt ajo në kohën e takimit tonë të parë apo të dytit. Mirëpo, më vonë e kam kuptu dhe nuk mund ta bie vetën në siklet se a e di saktësisht se a ka qenë ai i emëruar si shef i Inspeksionit në ’98-ën apo ka mundur të ndodhë edhe muajë apo kohë më vonë. Nuk mund t’i referohem saktësisht. Më vonë kam mësu se ka qenë shef i Inspeksionit, por pa iu referuar kohës”, tha Ibishi.

Dëshmitari foli për një takim të Shtabit të Përgjithshëm në zonën Operative të Llapit, duke shtuar se vetëm Jakup Krasniqin e njihte për shkak të paraqitjeve të tij mediatike si zëdhënës i UÇK-së.

Ndërsa, për Selimin, Thaçin dhe të tjerët tha se ka menduar që janë nga Shtabi meqë para takimit ishin njoftuar se ky takim do të ndodhte me anëtarët e Shtabit.

“Nga ata e njifsha vetëm zotin Krasniqi, për atë po them. Na kanë thënë që janë të Shtabit të Përgjithshëm, por unë kam prezumu që përveç Krasniqit edhe të tjerët mund të jenë nga Shtabi”, tha Ibishi.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe prokurorja Silvia D’Ascoli pas pyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.

Ibishi tha se kontakti i vetëm me Shtabin e Përgjithshëm ishte nëpërmjet Komandantit të Zonës Operative.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme