Google ADS

Tajfuni godet Tajvanin/ Stuhia më e madhe që ka goditur ishullin në tre dekada

14:41 | 31 Tetor 2024
R J

Shirat e dendur dhe erërat e forta kanë goditur Tajvanin, pasi stuhia më e madhe që ka goditur ishullin në gati tre dekada ka rënë në tokë përgjatë bregut të tij juglindor, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur dhjetëra.

Tajfuni Kong-rey u përcoll nga erëra që afroheshin 200 km/h, ekuivalente me një uragan të kategorisë 3 në Atlantik, sipas Qendrës së Përbashkët të Paralajmërimit të Tajfunit (JTWC).

Bëhet e ditur se kjo është stuhia më e madhe që ka goditur Tajvanin që nga Typhoon Herb në vitin 1996. Nga tajfuni, raportohet një e vdekur dhe të paktën 73 të lënduar.

Përpara stuhisë së fuqishme, autoritetet lokale urdhëruan mbylljen e përkohshme të zyrave dhe shkollave, ndërsa Tajvani pezulloi tregtimin në tregun e tij të aksioneve, shkruan CNN

Ndryshe, Tajvani në përgjithësi ka një histori të fortë për t’iu përgjigjur tajfuneve të mëdha, megjithëse fshatrat e largëta në rajonet më malore mund të jenë veçanërisht të prekshme ndaj rrëshqitjeve të dheut.

Siç raportohet, Ushtria e Tajvanit ka vënë në gatishmëri më shumë se 34,000 ushtarë për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit dhe mbi 8,600 njerëz janë evakuuar nga zonat me rrezik të lartë.

Më shumë se 500 fluturime, përfshirë 300 udhëtime ndërkombëtare, janë anuluar dhe të gjitha shërbimet e trageteve në ishujt periferikë të Tajvanit janë pezulluar, sipas Administratës së Aviacionit Civil.

Edhe shërbimet hekurudhore po funksionojnë me kapacitet të kufizuar, sipas operatorit hekurudhor.

Imazhet nga Agjencia Qendrore e Lajmeve zyrtare e Tajvanit dhe rrjetet sociale treguan valë “të egra” që përplaseshin në brigjet e qarkut Taitung, ndërsa pjesë të qarkut fqinj Hualien u zhytën në ujërat e përmbytjeve.

Kong-rey u intensifikua me shpejtësi për të arritur fuqinë e supertajfunit, ndërsa ai po lëvizte drejt Tajvanit pasi goditi Filipinet. Megjithëse stuhia u dobësua pak përpara se të arrijë në tokë, ajo po lëshon rrebeshe të forta, përmbytje të shpejta, valë stuhie dhe rrezik për rrëshqitje të dheut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme