Për Klara Halldórsdóttir, vullkani që ka trazuar jugperëndimin e Islandës për vitin e fundit është një spektakël i jashtëzakonshëm, por njëkohësisht edhe shkatërrues. Ajo ka shkuar deri te krateri për të parë shpërthimin dhe rrjedhën e lavës së ftohur që shtrihet deri në Grindavík, qyteti ku ajo ka jetuar gjithë jetën.
Por ky vullkan gjithashtu e detyroi atë të largohej nga shtëpia. Nëntorin e kaluar, teksa po shëtiste qentë në plazh, toka filloi të dridhej pa pushim. Ishte një seri tërmetesh, shenja paralajmëruese e një shpërthimi të afërt.
Pasi u largua bashkë me familjen, Klara dhe shumica e banorëve të qytetit nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Rreth një vit më vonë, vetëm disa nga 3600 banorët janë kthyer. Grindavík tani është kthyer në një qytet fantazmë, ndërsa lava ka përpirë shtëpi dhe ka dëmtuar rrugët.
Islanda, një vend i ndërtuar mbi aktivitetin vullkanik, përballet shpesh me shpërthime të këtij lloji. Mesatarisht, një vullkan shpërthen çdo pesë vjet, megjithëse zakonisht në zona të pabanuara. Por shpërthimet e fundit ishin të dhunshme dhe të rrezikshme, me potencialin për të vazhduar për shekuj.
Në këtë sfond të pasigurt, qindra kilometra në veri-lindje, në një sipërfaqe vullkanike të quajtur Krafla, po zhvillohet një projekt ambicioz për të shpuar drejt një “depozite” magme. Në vitin 2009, Bjarni Pálsson dhe ekipi i tij nga Kompania Kombëtare e Energjisë në Islandë, Landsvirkjun, zbuloi një dhomë magme gjatë një projekti shpimi gjeotermal.
Ata u përpoqën të arrinin një thellësi prej gati 5 kilometrash, por shpimi u bllokua në të njëjtin nivel disa herë, derisa përfundimisht gjetën copëza xhami — gurë të kristalizuar të ftohur nga magma. Ky zbulim i paimagjinueshëm i ka hapur rrugë një plani për të kthyer këtë nxehtësi ekstreme në një burim energjie.
Sot, ekipi i ekspertëve gjeotarmal dhe vullkanikë, Krafla Magma Testbed, po përpiqet të përdorë këtë nxehtësi dhe presion të magmës për të zhvilluar një formë të re të energjisë gjeotermale super të fuqishme, një opsion tërheqës për botën që po përpiqet të ndërpresë varësinë nga karburantet fosile.
Hjalti Páll Ingólfsson, drejtori i Geothermal Research Cluster, krahason këtë projekt me Teleskopin Hapësinor James Ëebb, i cili ka ofruar një pamje të paprecedentë të universit. Suksesi i këtij projekti mund të ketë ndikim global, pasi ekzistojnë rreth 800 milionë njerëz që jetojnë brenda rreth 100 kilometrave nga një vullkan aktiv.
Krafla është një laborator natyror unik për studimin e vullkaneve, jo vetëm për shkak të fushës së saj të nxehtë gjeotermale, por edhe për lehtësinë e aksesit, duke përfshirë një rrugë të asfaltuar dhe internet me shpejtësi të lartë. Përpjekja për të shpuar një gropë të qëndrueshme që të përballojë temperaturat ekstreme prej rreth 1000°C dhe të qëndrojë e qëndrueshme për dekada nuk është e lehtë.
Nëse plani shkon siç është parashikuar, shpimi i parë do të përfundojë në vitin 2027 dhe do të jetë hera e parë që sensorë do të instalohen brenda një depozite magme për të kuptuar më mirë lëvizjen, nxehtësinë dhe presionin e saj. Kjo mund të ndihmojë në parashikimin e shpërthimeve vullkanike me saktësi më të madhe.
Nëse eksperimenti i parë rezulton i suksesshëm, ekipi do të vazhdojë me shpimin e dytë, që pritet të përfundojë në 2029. Kjo përpjekje ka për qëllim shfrytëzimin e nxehtësisë ekstreme të magmës për të prodhuar një formë të re të energjisë gjeotermale, disa herë më e fuqishme se ajo konvencionale.
Islanda tashmë ka transformuar jetën e banorëve të saj falë energjisë gjeotermale, që mbulon mbi 90% të nevojave për ngrohje. Sipas Vordís Eiríksdóttir, drejtoreshë e operacioneve gjeotermale të Landsvirkjun, shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i nxehtësisë së magmës mund të fuqizojë shumë më tepër shtëpi dhe do të kërkojë shumë më pak tokë për ndërtimin e puseve energjetike.
Ndërsa e ardhmja mbetet ende e pasigurt dhe ka shumë sfida inxhinierike për t’u tejkaluar, Ingólfsson beson se nëse arrihet të “zbutet” fuqia e magmës, përfitimet do të jenë të pakufishme./A2cnn
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...