Google ADS

Paralajmërimi i Kurtit për rritje të pagave, Jasharaj: Në janar çkado që bëhet është fushatë, ngritja e tillë e papranueshme

15:16 | 29 Tetor 2024
E.K

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK) ka thënë se kanë kërkuar ngritje të pagës qysh në shtator dhe se ngritja e paralajmëruar për në janar është e papranueshme.

Gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik. Ai tha para medieve të martën se një zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Lidhur me këtë kreu i SBASHK-ut në takimin diskutues të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ku u publikua raporti “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, tha se kjo rritje është e papranueshme.

“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.

Ai tha se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve, sipas tij këto “50 euro” janë sikur t’i ketë në xhepin e tij dhe se të tillat nuk do ia marrin. Tha se kryeministri është dashur ta bëjë ngritjen që nga tetori.

“Mungon dialogu dhe komunikimi, zonja Nagavci është dashtë të komunikojë me ne drejtpërdrejt sepse ne jemi ata që në emër të anëtarësisë e kemi dorëzuar draftin e Kontratës. Deklarata e saj se s’ka kontratë, matematikisht i bie që shumë lehtë mund të ketë veprime sindikale dhe fajtore do të jetë zonja Nagavci”, tha Jasharaj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED), të martën (29 tetor 2024 organizuan takim diskutues dhe publikuan raportin: “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”.

Të ngjashme