Google ADS

Ministri Peci: Transformimet në MBPZhR, dëshmi e qeverisjes së mirë dhe transparencës

14:55 | 29 Tetor 2024
A Z

Transformimet që kemi sjellë në Ministrinë e Bujqësisë janë dëshmi e përkushtimit tonë për qeverisje të mirë dhe transparencë. Kjo ka rezultuar në një rritje prej 184% të mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë njohur përpjekjet tona për zhvillim të qëndrueshëm. Deri në përfundim të mandatit tonë, mbështetja financiare për fermerët në Kosovë pritet të arrijë vlerën e 300 milionë eurove.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i BPZhR-së, Faton Peci në sesionin e parë informues të Skemës së Granteve 2024-2027 që do të mbështeten nga MBPZhR-ja në bashkëpunim me GIZ-in, e që sot ky sesion u mbajt sot në Komunën e Mitrovicës.

Përmes kësaj skeme, Ministri Peci tha se do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në zonat rurale nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve.

“Kam nderin dhe kënaqësinë të jem me ju sot për të prezantuar një projekt të rëndësishëm që synon të transformojë të ardhmen e bujqësisë në Kosovë. Gjatë mandatit tim si Ministër, kemi prioritizuar investimet përmes projekteve të granteve, të cilat kanë dëshmuar se janë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe për të forcuar të gjithë zinxhirin e vlerës. Sot, kam kënaqësinë të prezantoj një projekt madhor dhe transformues, i cili realizohet në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ, me një investim prej 20.2 milionë euro. Kjo marrëveshje, e ratifikuar nga Kuvendi, shënon një bashkëpunim të parë të këtij lloji në historinë e Ministrisë së Bujqësisë dhe nënvizon rëndësinë strategjike të këtij partneriteti për zhvillimin e sektorit”, tha Ministri Peci.

Krahas kësaj, Ministri Peci theksoi se synimi i këtij projekti është fuqizimi i agroturizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale. “Një ndër përparësitë kryesore është promovimi i ushqimeve bio me vlera të larta ushqyese, të cilat janë thelbësore për sektorin e agroturizmit. Në një kohë kur ushqimet industriale dominojnë tregun, agroturizmi ofron një alternativë të shëndetshme, duke sjellë produkte bio, të freskëta dhe të shëndetshme, që krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumatorëve dhe prodhuesve”, ka thënë Peci.

Gjatë sesionit të parë informues të Skemës së Granteve 2024-2027 iu është bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe agro-ndërmarrësve që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të marrin pjesë në sesionet informuese që do të organizohen në çdo komunë të Kosovës./Arbresh.info/

 

Të ngjashme