Funksionalizohet shërbimi “Deklarimi i Adresës Zyrtare të Vendbanimit”

11:20 | 28 Tetor 2024
E.G

Agjencia e Regjistrimit Civil ka njoftuar se është funksionalizuar shërbimi për Deklarim të Adresës Zyrtare të Vendbanimit nga Agjencia e Regjistrimit Civil, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë për Shoqëri të Informacionit.

Sipas njoftimit, përmes digjitalizimit të këtij procesi, Deklarimi i Adresës Zyrtare të Vendbanimit bëhet më i lehtë dhe i thjeshtë përr qytetarin, duke shfrytëzuar platformën shtetërore e-Kosova, pa pasur nevojë të paraqitet medoemos në Zyrën e Gjendjes Civile, shkruan Arbresh.info.

Kjo agjenci bën të ditur se tani e tutje, ekzistojnë dy mënyra të deklarimit të adresës:

1. Mënyra e parë dhe më e lehta është përmes platformës e-Kosova, duke shfrytëzuar shërbimin për “Deklarimin e Adresës Zyrtare të Vendbanimit” në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/SubService/580

2. Mënyra e dytë është paraqitja e qytetarit fizikisht në Zyrën e Gjendjes Civile, duke u asistuar nga zyrtarët e kësaj zyre.

Procesi i Deklarimit të Adresës Zyrtare të Vendbanimit ndihmon në lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, duke përfshirë:

• Adresën unike dhe zyrtare të vendbanimit;

• Përzgjedhjen e mjekut familjar-bazuar në adresën e deklaruar;

• Shpërndarjen më të lehtë dhe më të shpejtë të shërbimeve postare;

• Saktësinë e adresës për shërbimet mjekësore emergjente;

• Saktësinë dhe unifikimin e adresës në të gjitha faturat komunale.

“Duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të angazhohen dhe bashkëpunojnë këtë proces, sigurojmë se vëmendje e veçantë dhe shumë e madhe i është kushtuar sigurisë së të dhënave personale, ruajtjes dhe cilësisë së tyre.”, thuhet mes të tjerash në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme