Google ADS

Gati për t’i mposhtur belgët/ Intervistë me hendbollistin e Rahovecit,Egzon Gjuka: Qëllim i vetëm është fitorja

15:36 | 25 Tetor 2024
L G

Dita e shtunë nuk do të jetë e zakonshme për rahovecianët dhe klubin e hendbollit të këtij qyteti.

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci do të luaj ndeshjen e kthimit të raundit të dytë në Kupën Evropiane (EHF European Cup), ndaj kampionit të shumëfishtë të Belgjikës, Sezoens Achilles Bocholt.

Sfida e parë e luajtur në qytetin belg, ka përfunduar me rezultat 32-29 në të mirë të Bocholt, teksa rahovecianëve iu duhen katër gola për përmbysje, që ua siguron kualifikimin tutje dhe historik në raundin e tretë të kësaj gare.

Shumë hendbollistë, gazetarë, analistë, nga i mbarë komuniteti sportiv, janë mobilizuar që t’i dalin ndihmë në lloj-lloj forme, kampionëve të Kosovës.

Përveç përkrahjes së tyre, Rahoveci në këtë ndeshje do të ketë edhe ndihmën e publikut, ku shumë tifozë nga vende të ndryshme, kanë bërë thirrje që ta përkrahin skuadrën kosovare që të shkruajë histori.

Edhe tek klubi kampion, janë të gatshëm për këtë ndeshje dhe presin rezultat pozitiv.

Në një intervistë për Arbresh.info, njëri nga lojtarët kryesor në sukseset e Rahovecit vitin e kaluar, Egzon Gjuka, ka folur rreth atmosferës në klub para ndeshjes.

“Atmosfera në ekip është e mirë menjëherë pas kthimit në Kosovë kemi vazhduar stërvitjet duke u fokusuar qe t’i përmirësojmë gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë dhe nëse arrijmë që ta bëjmë këtë atëherë besoj që edhe kalimi në raundin tjetër do të jetë i mundshëm”, tha fillimisht Gjuka.

Rahoveci ka një skuadër mjaft cilësore dhe ka nisur kampionatin e Kosovës në mënyrë perfekte duke triumfuar në pesë ndeshjet e para në elitën e hendbollit kosovar.

Mirëpo, sipas hendbollistit pejan, ndeshja e parë me belgët ka qenë nën nivelit e tyre, por që premton angazhim maksimal për sfidën kthyese.

“Duke shikuar rezultatin duket që ka qenë paraqitje e mirë e skuadrës, por duke i ditur aftësitë dhe cilësitë e skuadrës tonë mendoj që ka qenë një ndër ndeshjet më të dobëta tona, e kjo na bën të shpresojmë që në Rahovec të kemi paraqitje më të mirë dhe kualifikim tutje”, vazhdoi pejani.

Në një skuadër ku ka investime të mëdha, gjithmonë vijnë sukseset.

29-vjeçari tregon çelësin e suksesit për këto dy sezone tek “vreshtarët”.

“Investimet që janë bërë ne skuadër nga kryesia e klubit duke arritur që të sjellin lojtarë me mjaft eksperiencë dhe lojtaret e ri në moshë besoj qe është një kombinim mjaft i mirë dhe forcë e skuadrës tonë”, theksoi 29-vjeçari.

Bocholt është pesë herë kampione e Belgjikës ka shtatë trofe të Kupës belge si dhe ka përvojë të madhe në garat evropiane.

Mirëpo, këto nuk i bëjnë përshtypje ish-hendbollistit të Besa Famgas, i cili thotë se klubi i tij tashmë ka vetëm një qëllim kualifikim tutje.

“Skuadra belge ka eksperiencë në garat evropiane dhe është shumë herë kampion i Belgjikës, pra kemi të bëjmë me një skuadër serioze por pa marr parasysh këto, qëllim i vetëm i skuadrës tonë është kalimi tutje”, u shpreh ai.

Për fund ai ka një mesazh për të gjithë tifozët anembanë Kosovës.

“Në këto gara në paraqitemi si kampion i Kosovës pra jo vetëm qe përfaqësojmë klubin e Rahovecit por ne prezantojmë edhe shtetin e Kosovës, i ftoj të gjithë hendbolldashësit nga gjitha qytetet të jenë të pranishëm në ndeshje ditën e shtune dhe ta festojmë së bashku kualifikimin tutje pasi që do të ishte një ngjarje historike për qytetit e Rahovecit dhe një gjë shumë e mirë për hendbollin e Kosovës”, përfundoi ai.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e vetme e cila, Rahoveci merr pjesë në gara evropiane, pasi debutimin e saj e bëri dy vite më parë.

Atëbotë, ata u përballën me skuadrën çeke Karvina ku u mposhtën në të dy ndeshjet mjaft ngushtë dhe nuk arritën kualifikimin tutje.

Ndërsa sfidat ndaj belgëve të Bocholtit do të luhet nga ora 19:00, në palestrën sportive “Mizair Isma” në Rahovec./Arbresh.info/Drilon Halili/

 

 

Të ngjashme