Sindikata e Policisë së Kosovës nderon zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

14:32 | 25 Tetor 2024
K.B

Sot, në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, u mbajt ceremonia e hapjes së Lojërave Tradicionale, një aktivitet i përvitshëm i organizuar për të nderuar zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës.

Në këtë ngjarje të veçantë, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të sindikatave dhe miq të Kosovës u bashkuan për të kujtuar sakrificën dhe guximin e këtyre heronjve.

Nënkryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Edita Azemi, në fjalën e saj theksoi rolin e pazëvendësueshëm të sindikatës në mbështetjen e zyrtarëve policorë dhe promovimin e të drejtave të tyre.

Ajo nënvizoi se Lojërat Tradicionale nuk janë thjesht një aktivitet sportiv, por një mundësi për të kujtuar dhe nderuar guximin e zyrtarëve që nuk janë më fizikisht në mesin tonë, duke ndërtuar një lidhje të fortë mes të gjallëve dhe heronjve të rënë.

Ajo falënderoi Jesus Lira Calvo, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian të Sindikatave të Policisë (CESP), për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të forcuar sindikalizmin policor dhe për të siguruar mirëqenien e punonjësve të policisë.

Azemi theksoi se prania e përfaqësuesve nga rajoni është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të ndarë praktikat më të mira dhe për të avancuar çështjet e të drejtave dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë. Në veçanti, pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Bullgaria dhe Qipro u mirëprit si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Lavdi dhe nderim të përjetshëm për zyrtarët tanë policorë të rënë në krye të detyrës!”

Ndërsa zv. ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës,  Bardhyl Dobra, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë që dhanë jetën për sigurinë e vendit. Ai në emër të minsitrit Sveçla theksoi se detyra e mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së integritetit shtetëror është një mision fisnik dhe i shenjtë që duhet të nderohet vazhdimisht.

Ndërsa në fjalën e tij, nënkolonel Faton Alia, drejtori Rajonal i Drejtorisë Policore në Prizren, në emër të drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre për një të ardhme të sigurt dhe për rolin e rëndësishëm që luan Policia e Kosovës në këtë drejtim.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit për të nderuar dhe kujtuar sakrificat e policisë, duke ndërtuar kështu një frymë uniteti dhe solidariteti që i lidh të gjithë qytetarët.

I pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, i cili ishte nikoqir i eventit.

Në këtë event të rëndësishëm pjesë e të cilit ishte Jesus Lira Calvo, Sekretari i Përgjithshëm i CESP, prania e tij ishte tregues i qartë i mbështetjes së CESP për përpjekjet e sindikatës sonë dhe angazhimin e tij për përmirësimin e kushteve dhe të drejtave të punonjësve të policisë në nivel rajonal dhe evropian.

Fjalimi i tij përqendrohej në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në fuqizimin e zërit të sindikalizmit policor për t’u përballur me sfidat e përbashkëta që ballafaqohen në të gjithë Evropën.

Nënkryetari i parë i Sindikatës së PK-së, Avdi Hoti, i shoqëruar nga zv. ministri i Punëve të Brendshme Dobra, zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Jankoviç, nënkryetari i Komunës së Prizrenit dhe nënkryetarja e Sindikatës, në shenjë falënderimi i nderoi me mirënjohje përfaqësuesit miq të sindikatave rajonale që ishin të pranishëm në këtë manifestim si, Sindikatën e Policisë së Shtetit Shqiptar, Sindikatën e Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sindikatën e Policisë së Malit të Zi, Sindikatën e Policisë së Qipros, Sindikatën e Policisë së Bullgarisë, Sindikatën e Policisë së Kroacisë, si dhe përfaqësuesit e CESP-it dhe organizatorët e kësaj ngjarjeje sportive, për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij eventi të rëndësishëm.

Në përfundim të ceremonisë, u falënderuan të gjithë sponsorët që kanë mbështetur dhe kontribuar për realizimin e këtij eventi sportiv të rëndësishëm. Pa përkrahjen e tyre, organizimi dhe zhvillimi i kësaj ngjarjeje sportive nuk do të ishte i mundur. Mbështetja e tyre dëshmon rëndësinë dhe solidaritetin në nderimin e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës dhe përforcon vlerat e bashkëpunimit dhe unitetit në komunitet.

Në përmbyllje të kësaj ceremonie, Sindikata e Policisë së Kosovës uroi të gjitha ekipet sportive pjesëmarrëse për suksese dhe lojëra të mbarë. Me shpresën se ky aktivitet do të frymëzojë jo vetëm për të nderuar kujtimin e heronjve tanë, por edhe për të forcuar vlerat e miqësisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit mes të gjithë pjesëmarrësve, le të mbizotërojë fryma sportive dhe respekti i ndërsjellë në çdo garë.

Lojën e parë sportive zyrtarisht e filluan Nenkryetari i sindikatës Hoti së bashku me djalin e HeroitAfrim Bunjaku./Arbresh.info/

Të ngjashme