Në Bosanska Krupa, në perëndim të Bosnjë e Hercegovinës, një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur, pasi një stacion policor u sulmua në orët e vona të së enjtes, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ministra për Punë të Brendshme e kantonit Una-Sana.
Zyrtarët policorë u sulmuan nga një i mitur, i cili është arrestuar.
“Ky është akt kriminal i terrorizmit”, tha Adnan Beganoviq, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme më 25 tetor. Ai tha se hetimi i kryer nga Zyra e Prokurorit e kantonit ka përfunduar. Ai nuk dha detaje të tjera.
Sipas tij, polici i dytë që u plagos, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Zyrtarët policorë ende gjenden në vendngjarje.
Sipas ligjeve në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe të entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, një akt terrorist përkufizohet si një veprim që mund të dëmtojë seriozisht shtetin. Veprime të tilla përfshijnë sulm ndaj jetës së një zyrtari, apo “sulm ndaj integritetit fizik të një personi”.
Sipas informacioneve nga sindikata e policëve në kantonin Una-Sana, polici i vrarë ishte Ozren Maran, ndërkaq Avdo Hasanoviq, është zyrtari policor që u plagos.
Kjo sindikatë dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që të rritet siguria ndaj zyrtarëve policorë si dhe përgjegjësit të ndiqen penalisht, në përputhje me ligjin.
“Sulmi ndaj zyrtarëve policorë është sulm ndaj shtetit”, tha kjo sindikatë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Federatës të Bosnjë e Hercegovinës i tha Radios Evropa e Lirë se është rritur niveli i sigurisë në këtë territor dhe në mbarë Bosnjën.
“Nuk dua të jap më shumë informacione sepse do të dëmtoj hetimet. Në disa lokacione po kryhen bastisje, po punohet në terren dhe ne nuk duhet të zbulojmë se çfarë do të ndodhë më pas”, tha Ramo Isak.
Sulme terroriste ndaj policisë në Bosnjë e Hercegovinë kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
Në qershor të vitit 2010, një stacion policor në Bugojno u sulmua. Gjatë këtij sulmi ishte vrarë një polic, një police ishte plagosur rëndë dhe pesë zyrtarë të tjerë policorë kishin pësuar lëndime të lehta.
Edhe një sulm tjetër ndaj policisë kishte ndodhur në lindje të Bosnjës, përkatësisht në Zvornik, në prill të vitit 2015, kur një 24-vjeçar kishte vrarë një polic dhe kishte plagosur dy të tjerë. Më pas, sulmuesi ishte vrarë./rel
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...