Edicioni i dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës ka nisur nën drejtimin e moderatorëve Genc Salihu dhe Drita Kabashi..
Trofeu fitues i këtij edicioni është ‘Diamanti Blu’, që është një simbolik për Kosovën, flamurin dhe kaltërsinë e saj. Ndërkohë, juria e festivalit përbëhet nga Minire Fetahu, kryetare e jurisë, Jane Sugarman, Ardiana Pajaziti, Valbona Selimllari dhe Blerta Zeqiri.
Në festival performojnë 16 artistë: Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Greta Azizi me “Veres”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Jehona Lumi me “Shko”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, Rei Bezhani me “Zonjë tradhti”, Ardita Begu me “Fundosu në dritë”, Besmir Shishko me “Unë Ajo”, Blendi Kaso me “Një të vetme ka në jetë”, Endrit Krasniqi me “Flasë me gjethen”, Ardit Stafaj “Faji”, Santino De Bartola me “Unë jam Arbëresh”, Arnite Kastrati me “Blla blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, Luna Qausholli me “Dielli të më shoh” dhe Bruna Sata me këngën “Ti je i pashpirtë”.
Transmetimi ka filluar qysh në ora 20:10 me pritjen e të ftuarve në tepihun e kuq të Pallatit të Rinisë, ndërsa festivali u hap në ora 21:00.
Në edicionin e parë, triumfoi La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, derisa këtë vit pritshmëritë janë të larta për performancat e artistëve që do të konkurrojnë për çmimet e festivalit.
“Fest 2” do të sjellë në garë 16 këngë, të cilat synojnë të fitojnë çmimet kryesore. Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit janë paraparë surpriza për publikun, e ku pa dyshim ndër momentet e veçanta të kësaj mbrëmje muzikore do të jetë performanca e këngëtares së njohur shqiptare Aurela Gaçe.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti gjatë parakalimit në tapetin e kuq ndau disa momente për teleshikuesit e RTK-së. Ajo tha se ndjen kënaqësi që është pjesë e këtij festivali. “Jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e Bordit të RTK-së në kohën kur është konkretizuar ideja për themelimin e Festivalit të Këngës. Bordi ka luajtur një rol thelbësor dhe vendimmarrës për organizimin dhe themelimin e këtij festivali, duke aprovuar rregulloren e tij dhe pastaj me sukses duke negociuar për memorandumin me MKRS-në”, ka theksuar ajo.
Mehmeti ka falënderuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku që ndau buxhetin për realizimin e këtij festivali, derisa lavdëroi punën e stafit në organizimin e edicionit të dytë.
“Si kryetare e Bordit kam pasur kënaqësinë që të shoh nga afër punimet e organizimit të këtij festivalit dhe jam e impresionuar me punën e stafit të RTK-së dhe bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e drejtorit Adi Krasta”, shtoi ajo.
Ndërkaq, fituesi i edicionit të parë të festivalit, Arbër Salihu (La Fazani) u shpreh se është ndjenjë e mirë të kthehet në këtë event, por tani si spektator.
“Është sukses i jashtëzakonshëm që kemi arritur ta bëjmë këtë festival dhe po më bëhet zemra mal që po ka vazhdimësi. Shpresoj që do të shkojë duke u bërë mirë e më mirë çdo vit. Definitivisht është ndjenjë fantastike të jesh pjesë e këtij festivali. Për mua ka qenë një gjë shumë e bukur që më ka ndodhur në karrierën time. Vitin e kaluar krejt java e festivalit është që s’do ta harroj. Përmes këtij festivali kam njoftuar shumë njerëz që më kanë shërbyer gjatë tërë vitit për bashkëpunime të ndryshme. Skena është shumë e mirë dhe të performosh në një këso skene madhështore gjithsesi që ka qenë kënaqësi e madhe”, ka theksuar Salihu.
Festivali i Këngës do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1, Radio Kosova dhe në platformat digjitale të transmetuesit publik, duke ofruar mundësi të gjerë për ndjekjen e këtij eventi nga të gjithë./rtk/
Ukraina qëllon Rusinë me raketa britanike me rreze të gjatë ...
Hamza në Rahovec: Ndërmarrësit do t’i mbwshtesim me in...
“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE...
Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Bullgarisë
FMN: Ekonomia shqiptare rritje pozitive, por ka sfida të kon...
“Shumë po më pëlqen”, Driloni ngacmon Xhenetën