Blinken thotë se do të rifillojnë bisedimet për armëpushim në Gazë dhe lirim të pengjeve

16:47 | 24 Tetor 2024
E.G

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të enjten se Izraeli e ka përmbushur synimin e tij për ta “shkatërruar suksesshëm Hamasin”, dhe se bisedimet për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë, do të rifillojnë në ditët në vijim.

Teksa Blinken i bëri këto komente gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, një sulm izraelit në një shkollë, ku po strehoheshin njerëzit e zhvendosur në Gazën qendrore, i vrau së paku 17 njerëz, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.

Rreth 42 të tjerë u plagosën në sulmin që goditi kampin e refugjatëve Nuseirat, sipas spitalit Awda, i cili i pranoi trupat e viktimave dhe të plagosurit. Në mesin e të vdekurve ishin edhe 13 fëmijë në moshën 18-vjeçare, dhe tri gra, sipas të dhënave të spitalit.

Ushtria izraelite tha se në shënjestër të këtij sulmi ishin militantët e Hamasit brenda shkollës, po nuk dha asnjë dëshmi për këtë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Izraeli ka kryer disa sulme në shkollat e ndërruara në strehimore në muajt e fundit, duke thënë se i godit saktë militantët që fshihen në mesin e civilëve. Këto sulme shpesh vrasin gra dhe fëmijë.

Blinken, duke folur për gazetar në Katar, vendin e cili shërben si ndërmjetës kyç mes Izraelit dhe Hamasit, tha se bisedimet do të rifillojnë në “ditët në vijim”.

“Ajo çfarë duhet të përcaktojmë është nëse Hamasi është i gatshëm për t’u angazhuar”, tha Blinken gjatë vizitës së tij të 11-të në rajon prej se nisi lufta në Gazë para një viti.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se do të rinisin bisedimet, pasi forcat izraelite e vranë liderin kryesor të Hamasit, Yahya Sinwar, javën e kaluar në Gazë. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka treguar shenja për zbutjen e kërkesave në bisedimet që u ndërprenë gjatë verës.

Blinken gjithashtu njoftoi se SHBA-ja do t’i ndihmojë palestinezët me 135 milionë dollarë, derisa i bëri thirrje përsëri Izraelit të lejojë futjen e më shumë ndihmave në territorin palestinez.

Mjekët në veriun e rrethuar të Gazës paralajmërojnë se gjendja atje është katastrofike, pasi ushtria izraelite ka dy javë që kryen luftë tokësore dhe ajrore në këtë pjesë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 42.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej se sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael e nxiti luftën mes tyre.

Lufta ka shkaktuar rrënim të madh dhe i ka zhvendosur mbi 90 për qind të banorëve të Gazës prej 2.3 milionë.

Lufta nisi kur Hamasi kreu një sulm më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë./rel

Të ngjashme