Ibishi pranon se me kërkesën e tij është marrë vendim për dërgimin e një ushtari në mbajtje

15:49 | 24 Tetor 2024
K.B

Dëshmitari Nuredin Ibishi ka treguar në Hagë se me kërkesën e tij, një ushtar i cili kishte bërë shkelje të rregullave, ishte dërguar për tre ditë në mbajtje dhe se vendimi ishte marrë nga zëvendëskomandanti i Zonës, Kadri Kastrati.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument, për të cilin ai tha se flet për një incident gjatë kohës së trajnimeve ku ushtarit Esat Ymerit i ishte dhënë për detyrë që gjatë kohës së pushimit të ligjëratave, ta ruajë vendin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E bëri një shkrepje të kapsollës së murtajës në mënyrë të papërgjegjshme, por fati që nuk e ka bërë atë mbushjen barutore. Veç e kam ni krismën e kësaj kapsolle. Kam dalë përjashta edhe e kam pa me murtajë të ngritur ashtu edhe ia kam marrë nga dora. Për shkak të rrezikut të përgjithshëm që ua ka shkaktu diku 40 ushtarëve, ai me kërkesën time është dënu me tri ditë sa e mbaj mend në mbajtje për shkak të shkeljes së rendë të obligimeve ushtarake. Ky është pra një vendim”, tha Ibishi, duke shtuar se vendimi ka ardhur nga Kadri Kastrati si zëvendëskomandant i zonës, por që kërkesa ishte e vet dëshmitarit.

Dëshmitari tha se ushtari i cili theu rregullat e mbajti dënimin i cili iu shqiptua.

“Është mbajtë në një lokal të improvizum në kuadër të objektit të kazermës ku ishin edhe njësitet e bazume. Pra, vetëm në një lokal të improvizuar”, tha Ibishi.

Për një dokument tjetër që iu paraqit, dëshmitari tha se i përket brigadës së parë, përkatësisht togut special. Kurse, nuk u dëgjua përgjigja e tij, kur u pyet se a i njihte emrat e ushtarëve.

Ndërsa, për dokumentin e radhës, dëshmitari tha se mban nënshkrimi i tij, e që kishte dhënë komente për një tabelë me dokumente, e cila ishte evidentuar në shënimet përgatitore.

Në njërin prej dokumenteve të kësaj tabele, dëshmitari tha se përmban ‘tik’ të vendosur, e që me gjasë janë nga autoritetet serbe.

“Janë disa shënime me dorë. Kreu lart, unë ku shkruan (nuk kuptohet) është shkrimi im. Duke qenë se ky dokument është nga dëshmitë e autoriteteve të Serbisë, këtu në dy renda e regjistrit të Brigadës së parë janë shkrimi me dorë edhe kjo ‘tik’ në vazhdim është i autoriteteve serbe. Këta kanë shku përtej asaj dhe kanë bërë togje edhe brigada. Pra, ka shkru ‘spec brigada’ që nënkupton “Brigada Speciale’ a në të vërtetë ka të bëjë me tog special. Duket që as informacionin se kanë njoftë apo i kanë rritë aq shumë. Edhe këto tikat në të djathtë me siguri janë nga autoritetet serbe e nuk janë nga të mijat”, deklaroi Ibishi.

Të ngjashme