Mbrojtësi i viktimave kërkon ta marrë në pyetje Ibishin: Ka qenë i pranishëm në vendin ku dy viktima pjesëmarrëse janë ndaluar

11:33 | 24 Tetor 2024
E.K

Mbrojtësi i viktimave, avokati Simon Laws ka kërkuar që ta marrë në pyetje dëshmitarin Nuredin Ibishin, me arsyetimin se ai ka qenë i pranishëm në një vend ku janë ndaluar dy viktima pjesëmarrëse.

Laws tha se intervistat e Ibishit kanë të bëjnë lidhur me këto dy viktima dhe se ai si dëshmitar do të japë dëshmi me rëndësi lidhur me këta dy persona, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Praktika deri tani në tanësi si kritikë ka qenë që njoftimi të bëhej me shkrim dhe kundërshtimi me shkrim. Që ju i nderuar gjykatës dhe kolegët tuaj të jeni në pozitë që të gjykoni për ato që vendosni, siç keni bërë pa parashtrime me gojë. Unë e di që këtë pjesë do ta bëj në seancë publike e mbase do të na duhet të futemi në seancë të mbyllur. Por, qëndrimi i mbrojtësit të viktimave përcaktohet në paragrafin 7 për këtë dëshmitar. Intervistat e tij kanë të bëjnë me dy viktima që janë pjesëmarrëse në proces dhe ai ka dëshmi me rëndësi për të dhënë lidhur me këta dy dëshmitarë. Ai i ka njohur mirë ata dhe ky dëshmitar ka qenë i pranishëm në vendin ku ata janë ndaluar të dy”, tha Laws.

Sipas tij, Ibishi mund të dëshmojë lidhur me rrethanat e ndalimit të dy viktimave pjesëmarrëse.

Kurse, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, mori fjalën duke thënë se nuk po bën kundërshtim sepse një gjë të tillë do ta kishte bërë me shkrim, por që ai tha se njoftimi duket sikur ka për qëllim që ta vënë në diskutim dëshmitarin.

“Vihen re diferencat se çka thonë viktimat dhe çka thotë ky dëshmitar. Ne nuk kemi kundërshtim që të eksplorojmë me pyetje për atë që di dëshmitari, por nuk është detyrë e mbrojtësit të viktimave të kundërshtojë kredibilitetin e dëshmitarit i cili është thirrur nga Prokuroria për të thënë të vërtetën… nuk ka pse mbrojtësi i viktimave ta atakojë një dëshmitar që është thirrur nga Prokuroria”, tha Dixon, duke shtuar se nuk ka pse të diskreditohet dëshmitari.

Ndërsa, mbrojtësi i viktimave Laws tha se nuk e ka qëllimin ta diskreditojë dëshmitarin.

“Nuk kam për qëllim që ta diskreditoj dëshmitarin. Dallimet lidhur me dëshminë e tij ka të bëj apo jepen nga ky dëshmitar bazuar në informacionin që atij i kanë dhënë të tjerët. Nuk shtrohet çështja për ta diskredituar, por përkundrazi për t’i bërë disa pyetje lidhur me besueshmërinë e informacionit që atij i kanë dhënë, i cili është shumë i ndryshëm që personi në fjalë që ka dhënë. Kjo është e gjitha. Nuk bëhet fjalë për diskreditim”, tha Laws.

Laws u pajtua gjithashtu me Dixon se si mbrojtje e viktimave nuk është me vend që të diskreditojnë një dëshmitar.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se qëndron kërkesa e mbrojtësit të viktimave për ta pyetur dëshmitarin Nuredin Ibishi.

Si rrjedhojë, Laws kërkoi seancë private, me arsyetimin që të diskutohet për një çështje, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Kurse, në prova materiale u pranuan organogramet që prokurorja ia prezantoi dëshmitarit, si dhe u klasifikuan si publike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme