Google ADS

Turqia sulmon caqe në Irak e Siri pas sulmit terrorist në Ankara

08:44 | 24 Tetor 2024
K.B

Qeveria turke ka bërë të ditur se ushtria e saj ka sulmuar të mërkurën mbrëma caqe në Irak dhe Siri të lidhura me grupin militant kurd PKK, pasi e fajësoi atë për një sulm pranë Ankarasë që la të vdekur të paktën pesë persona.

Video të ndryshme nga sulmi më herët të mërkurën tregojnë të paktën dy persona që gjuajnë me armë rreth hyrjes së Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI), e cila ndodhet rreth 40 km (25 milje) jashtë kryeqytetit.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në të cilin u plagosën 22 persona.

“Gjithsej 32 objektiva që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses” në sulmin hakmarrës, tha në një deklaratë ministria turke e mbrojtjes.

Presidenti Rexhep Taip Erdogan e quajti sulmin ndaj TAI “të neveritshëm” në një postim në X.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se dy sulmues, një grua dhe një burrë, ishin “neutralizuar”, duke shtuar se sulmi ka shumë të ngjarë të kishte përfshirë PKK, raporton BBC./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme