Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, po viziton aktualisht Tiranën, ku e vlerësoi si “një punë të shkëlqyer” përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave mbi grup kapitujt e çështjeve themelore, si dhe me reformat e integrimit europian.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin Edi Rama pas takimit me të, Presidentja Von der Leyen, njoftoi se Shqipëria do të marrë financime mbi 920 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Ndërsa 64 milionë euro prej tyre, sipas saj, do të jenë parafinancime deri në fund të këtij viti.
Presidentja Von der Leyen theksoi se angazhimi i BE-së për të integruar rajonin do të jetë përparësi edhe në mandatin e ri të saj.
Por ajo sërish nuk u shpreh për ndonjë afat mbi anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se vëmendja më e madhe duhet të përqendrohet tek reformat dhe jo tek datat.
Ajo njoftoi se edhe në raportin e radhës javën e ardhshme mbi ecurinë e Shqipërisë, sërish vlerësohen arritjet e Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama tha se tashmë Presidentja Von der Leyen nuk do ta përsërisë fjalinë “Ne duam të fillojmë me Shqipërinë negociatat për anëtarësim”, sepse kjo fjali i përket historisë sepse tanimë Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup kapitullin e parë të “Themelore”-ve duke hyrë në një fazë të re.
“Ne jemi shumë të vendosur që t’ia dalim edhe në këtë dhe skuadra jonë e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të re”, tha zoti Rama.
Zoti Rama theksoi se sipas Barometrit Europian Shqipëria është vendi më pro BE-së në Europë, edhe brenda në BE, edhe jashtë BE-së.
“Vendi i Shqipërisë është në BE dhe e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në BE dhe nëse ka një mision të përbashkët kombëtar të të gjithë shoqërisë, të të gjitha partive politike, të të gjitha forcave aktive në shoqëri, është që të kontribuojnë që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt”, tha kryeministri Rama.
Ai shtoi se kjo është një sfidë që shkon duke u bërë më e vështirë sepse tanimë bëhet fjalë për një sërë detyrash, të cilat duhet të përkthehen në ligje, në akte nënligjore, por edhe në prova të zbatimit të tyre.
“Shqipëria është krah për krah me Bashkimin Europian, e linjëzuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, e përfshirë pa kursim në të gjitha proceset e në të gjitha ato që janë vlera, por dhe sfida që na bashkojnë dhe e gjithë kjo qasje e Shqipërisë vetëm do të forcohet dhe do të konsolidohet në vijim”, tha kryeministri Rama.
Pjesë e vizitës së zonjës Von der Leyen në Tiranë është edhe përurimi i Kolegjit të Europës.
Të premten e kaluar Bashkimi Europian miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të këtij rajoni; Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi.
Zonja Von der Leyen paraqiti gjatë Samitit të Berlinit një vit më parë nga Tirana Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, mbështetur në një paketë financimesh 6 miliard euro në këmbim të përparimit të reformave të nisura nga këto vende.
Vizita e zonjës Von der Leyen në Shqipëri është pjesë e një turi rajonal, që përfshin Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi./voa
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...