Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha të mërkurën se ekzistojnë prova që Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Rusi. Po sot shefi i zbulimit i Koresë së Jugut u tha ligjvënësve se 3,000 trupa të Koresë së Veriut po trajnohen me dron dhe pajisje të tjera në Rusi përpara se të vendosen në fushat e betejës në Ukrainë.
Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Romë, sipas një videoje të postuar nga gazeta Washington Post, zoti Austin tha: “Çfarë po bëjnë saktësisht? Mbetet për t’u parë. Është diçka që duhet ta zbulojmë”. Nëse këto trupa i bashkohen luftës në Ukrainë në emër të Rusisë, do të jetë “një çështje shumë, shumë serioze”, u shpreh Sekretari Austin, duke shtuar se një gjë e tillë do të kishte një ndikim në Evropë dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.
Agjencitë koreano-jugore të zbulimit publikuan fillimisht raporte se 1,500 trupa speciale të Koresë së Veriut i janë bashkuar marinës ruse këtë muaj, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte thënë më herët se qeveria e tij kishte informacione se 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut po përgatiteshin t’u bashkoheshin forcave pushtuese ruse.
SHBA dhe NATO nuk i kishin konfirmuar zyrtarisht më parë njoftimet, por kanë paralajmëruar për rrezikun e një zhvillimi të tillë nëse është i vërtetë. Rusia dhe Koreja e Veriut deri tani i kanë mohuar lëvizjet e trupave.
Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut, Cho Tae-yong, u tha ligjvënësve të mërkurën se 1,500 trupa të tjera të Koresë së Veriut kanë hyrë në Rusi, sipas ligjvënëses Park Sunwon, e cila mori pjesë në një takim me dyer të mbyllura me zotin Cho. Ai u tha ligjvënësve se agjencia e tij vlerëson se Koreja e Veriut synon të dërgojë një total prej 10,000 trupash në Rusi deri në dhjetor, u tha ligjvënësja Park gazetarëve.
Ajo citoi zotin Cho të thoshte se 3,000 ushtarët e Koresë së Veriut të dërguar në Rusi janë shpërndarë në baza të shumta ushtarake dhe janë duke u stërvitur.
Duke folur së bashku me ligjvënësen Park për takimin me Drejtorin e Zbulimit, ligjvënësi Lee Seong Kweun tha, duke cituar zotin Cho, se Rusia po rekruton një numër të madh përkthyesish.
Ai tha gjithashtu se zbulimi ka të dhëna se Koreja e Veriut po zhvendos anëtarët e familjeve të ushtarëve të zgjedhur për t’u dërguar në Rusi në vende të veçanta për t’i izoluar ata.
Koreja e Veriut dhe Rusia, të përfshira në konfrontime të veçanta me Perëndimin, kanë rritur ndjeshëm bashkëpunimin e tyre në dy vitet e fundit. Në qershor, ato nënshkruan një marrëveshje për mbrojtjen, në bazë të së cilës, të dy vendet do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’i ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake njëra tjetrës në rast se sulmohen nga vende të tjera.
Raportet se Pheniani po dërgon trupa në Rusi nxitën shqetësimet e sigurisë në Korenë e Jugut. Seuli është i shqetësuar se Rusia mund t’i japë në këmbim Koresë së Veriut teknologji të sofistikuara armësh që mund të ndihmojnë programin bërthamor dhe atë të raketave të Veriut, që vënë në shënjestër Korenë e Jugut.
Koreja e Jugut tha të martën se do të konsideronte mundësinë e furnizimit me armë për Ukrainën në përgjigje të njoftimeve për dërgimin e trupave të Veriut në Rusi. Koreja e Jugut ka dërguar mbështetje humanitare dhe financiare në Ukrainë, por deri tani ka shmangur furnizimin e drejtpërdrejtë me armë të Ukrainës në përputhje me politikën e saj të mosfurnizimit me armë të vendeve të përfshira në mënyrë aktive në konflikte.
Koreja e Veriut ka 1.2 milionë trupa, një nga ushtritë më të mëdha në botë, por nuk ka luftuar në konflikte në shkallë të gjerë që nga Lufta Koreane e viteve 1950-53. Shumë ekspertë kanë hedhur dyshime se trupat e Koresë së Veriut mund ta ndihmojnë Rusinë në mënyrë të konsiderueshme, duke përmendur mungesën e përvojës në betejë.
Ata thonë se Koreja e Veriut dëshiron të marrë mbështetjen ekonomike ruse dhe ndihmë për të modernizuar sistemet e vjetëruara të armëve konvencionale të Veriut, si dhe transferimin e teknologjisë së lartë të armëve./voa/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...