Mbështetje për integrimin e Shqipërisë, Veliaj takon disa eurodeputetë në Samitin e kryebashkiakëve në Strasburg

21:21 | 22 Tetor 2024
E.G

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Samitin e Kryebashkiakëve Europianë në Strasburg.

Kryebashkiaku u takua me anëtarë të Parlamentit Europian, prej te cilëve mori miratimin për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Deputeti europian Dario Nardela ishte një prej tyre.

“Në këtë takim të Eurocities më vjen mirë që takoj kaq shumë miq të Shqipërisë, edhe kur disa shqiptarë, një pakicë shumë e vogël, protestojnë kundër Shqipërisë që të avancojë në BE. Fat i madh është që Shqipëria është e rrethuar me shumë miq ndërkombëtarë, që duan që Shqipëria të shkojë përpara dhe duan që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane”, tha ai.

Deputeti Dario Nardella tha se një nga objektivat e tij si anëtar i Parlamentit Europian, do të jetë të ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

“Unë jam anëtar i Parlamentit Europian dhe një nga objektivat e mi do të jetë ai për të ndihmuar Shqipërinë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Ne duhet të sjellim stabilitet, paqe dhe progres ekonomik e social në të gjitha fushat ku Shqipëria është një pikë referimi”

Në vijim të vizitës së tij në Strasburg, Veliaj u takua edhe me deputetin tjetër të Parlamentit Europian, Raphael Glucksmann, dhe ish kryebashkiakun e Barit.

“Antonio Decaro ka zgjedhur që në PE të jetë në grupin e marrëdhënieve mes PE dhe Shqipërisë. Ndërkohë që, disa prej nesh që gjithmonë do i vënë një stërkëmbësh Shqipërisë, fatmirësisht janë pakica, jo shumica. Por, ka edhe shumë miq, që në fakt si antidot i atyre që duan të helmojnë frymën e bashkëpunimit dhe integrimit, janë ata miq të Shqipërisë që ndonjëherë e duan Shqipërinë më shumë se ca prej nesh”, tha ai.

Samiti i Kryebashkiakëve Europianë është një takim politik i nivelit të lartë mes kryetarëve të bashkive europiane dhe anëtarëve të sapo zgjedhur të PE, ku kryetarët e bashkive ndajnë vizionin e tyre për mandatin e ardhshëm të Bashkimit Europian./abcnews.al

Të ngjashme