Tiranë, Kryemadhi e cilëson si politik vendimin e gjykatës për të dhe ish presidentin Meta

18:27 | 22 Tetor 2024
Q L

Ish presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, dhe tre personat e tjerë në hetim nga SPAK-u në një çështje për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, pritet të dalin nesër para Gjykatës për shqyrtimin e masave të arrestit. Zoti Meta dhe ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dyshohen se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga biznese private, duke shfrytëzuar pozitat e tyre shtetërore dhe partiake, të cilat më pas nuk i kanë deklaruar. Zonja Kryemadhi sot nuk i pranoi akuzat, vendimin e cilësoi si politik, por tha se do të respektonte masën e arrestit dhe përballjen me drejtësinë.

Ish Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe dy personat e tjerë në këtë çështje pritet të dalin nesër para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

Teksa i shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave, SPAK-u vendosi arrest në burg për Ilir Metën, detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin, arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitje për Ema Çokun.

Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me zotin Meta në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.

“Pas leximit të vendimit ju bëj me dije se nuk flitet për asnjë provë. Qëllimi i izolimit të tij është politik. Zoti Meta është pjesë e opozitës, e cila sot është nën një sulm të padrejtë jojuridik, politik, nëpërmjet instrumentave të agjencive ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Zero prova”, tha avokati Gjokutaj.

Ndërsa deputetja Kryemadhi e cilësoi sot procesin e nisur si politik, vendimin e gjykatës si një dokument me shumë pasaktësi, gënjeshtra dhe përsëritje në 167 faqe, ndërsa i ka dorëzuar prokurorit të çështjes mbi 5 mijë faqe dokumenta me ekspertizë financiare nga viti 1995 e në vazhdim mbi familjen e saj dhe rreth 3 mijë faqe për nënën e saj.

Megjithatë ajo deklaroi para medias se do ta zbatojë masën e sigurisë detyrim paraqitje, do të respektojë drejtësinë gjatë përballjes, ndërsa ajo bashkë me avokatët do të ndjekin çështjen me detaje të hollësishme.

“Jam e indinjuar nga deklarata e djeshme e SPAK-ut, ku u shkel edhe ligji sa i takon sekretit hetimor. Pafytyrësia më e madhe e asaj deklarate të djeshme tregon haptas që kanë qëllim dhe më vjen shumë keq, që kjo gjë kalon cakun e komunikimit normal timin me të gjithë ata që bëhen palë e kësaj farse imorale në marrëdhënie me familjen time”, tha zonja Kryemadhi.

Krahas akuzave nga SPAK-u për zotin Meta, sot kanë vazhduar reagimet mbi mënyrën se si u ndalua dje në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si “rrëmbim në mënyrë banditeske”.

Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi sot në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standarteve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.

Ai shtoi që “nëse zoti Meta nuk do të kundërshtonte zbatimin e vendimit gjyqësor, atëherë do të ndodhte kalimi qetësisht nga automjeti privat në atë të policisë, dhe se ishte vetëm kundërshtimi i policisë me dhunë që e bëri të pashmangshëm shoqërimin me forcë të tij”.

SPAK-u detajoi dje në një njoftim publik se personat nën hetim Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë.

Herë si ministër i ekonomisë, herë si kryetar i Kuvendit, e herë si kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, zoti Meta dyshohet se ka kërkuar dhe ka pranuar shuma të konsiderueshme parash nga bizneset, që fitonin kontrata, është pajisur me karta krediti prej tyre, dhe nuk ka deklaruar saktë në KQZ-së dhe në ILDKPI fondet e përdorura për lobime në SHBA, për shitblerje banesash si dhe për shpenzime shëndetësore.

Për të njëjtat vepra penale pranë çdo episodi gjenden edhe dyshimet ndaj zonjës Kryemadhi./voa/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme